
TIRANË- Mungesa e medikamenteve të rimbursueshme në treg nuk është një fenomen i ri, por tashmë kemi shifra kontrete. Në një investigim të "Inside Story", është zbuluar se kompania "Rejsi Farma", e cila ka lidhur një kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk e bën punën e saj.
Edhe pse ka një kontratë me fondin për të furnizuar farmacitë me 146 lloje të ndryshme barnash të rimbursueshme, shumë prej tyre nuk gjenden në raftet e farmacive. Nga kontrolli i bërë, nga 55 barna që u verifikuan, vetëm 36% e tyre ishin gjendje. Po ashtu, është zbuluar se në depot e kësaj kompanie janë konstatuar 12.178 medikamente të skaduara me vlerë 420 mijë euro.

Por nuk ka asnjë dokument apo procesverbal për nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit të këtyre medikamenteve. Këtë e provon edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
SHIKO MINUTËN E 40:
Raporti i KLSH: Mungesa e kryerjes në kohë dhe të dokumentuar sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator tatimor dhe të mosmarrëveshjes kontraktuale për rimbursim në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell risk në gjendjen e saktë reale inventariale të barnave të rimbursueshme sipas LBR-së, si dhe në nivelin e rimbursimit të përfituar nga depo-importuese "Rejsi Farma" dhe gjithashtu riskun e rifutjes në qarkullim të barnave të skadura me qëllim përfitimin e rimbursimin, por me pasoja në shëndetin e pacientëve.
Përgjigjia ka ardhur nga FSKDSH. Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor bëhet me dije se kanë prova për asgjësimin e këtyre medikamenteve, ndërsa shtojnë se sistemi elektronik e-Depo nuk lejon transaksion (fletëdalje) për barnat e skaduara.
"Barnat e skaduar janë konstatuar nga grupet e kontrollit të Fondit të ushtruar në depot farmaceutike të kontraktuara me Fondin. Për barnat e skaduar në depo janë përcaktuar rregulla të veçanta në kontratën e lidhur me Fondin. Grupet e kontrollit verifikojnë mënyrën e mbajtjes së këtyre barnave si edhe dokumentacionin në rastin e daljes jashtë përdorimit. Për të gjitha barnat e skadara ështrë bërë gjurmimi i tyre deri në asgjësimin e tyre sipas rregullave të caktuara. Theksojmë se sistemi elektronik e-Depo nuk lejon transaksion (fletëdalje) për barnat e skaduara."
Por edhe pse kanë FSKDSH në "krah" të kontaktuar nga "Top Channel", kompania "Rejsi Farma" ka zgjedhur që të mos përgjigjet duke e lënë enigmë fatin e këtyre ilaçeve. Nëse janë asgjesuar, ku ka ndodhur? As kjo nuk dihet./ZËRI