
TIRANË- Sot u mbajt seanca për tre anëtarët e grupit kriminal, pjesë të dosjes “Plumbi i Artë”. Prokuroria e Posaçme kërkoi nga 10 vite burg për Ilirjan Feçin dhe Agim Gjinin, ndërsa vetëm 7 vite për Elvis Koçin. Ndërsa në seancën e radhës do të jepet pretenca për pjesën tjetër të grupit që akuzohen për vepra më të rënda penale. Para togave të zeza pritet të dalin Nuredin Dumani Henrik Hoxha, Skerdi Tase, Enver Diva, Besjan Xhixho etj.
Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. /ZËRI