
TIRANË- Suel Çela ka ankimuar nga arratia masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij pas operacionit “plumbi i artë” në maj të vitit 2022. Çela u shpall në kërkim në atë kohë, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit.
Gjatë dëshmisë së tij, Dumani tha se Çela e kishte porositur të ekzekutoj pronarin e shkollës “Wilson” në Tiranë. Ndërsa, disa ditë më parë Prokuroria e Posaçme gjatë një aksioni në Elbasan arrestoi disa persona, ku dhe shpalli në kërkim Çelën si kreu i një organizate kriminale. Seanca e Gjykatës së Posaçme do të mbahet sot në orën 13:00.
Kush është Suel Çela
Suel Çela ose Marjus Lulaj nga Elbasani, u shpall në kërkim në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”. Nuredin Dumani dëshmoi se ai ishte porositës i tre ngjarjeve kriminale, 2 të cilat nuk u realizuan dhe 1 mbeti në tentative. Çela akuzohet se porositi atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, vepër që do ta kryente në bashkëpunim me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani, por ai mbeti i plagosur dhe u arrestua. Po ashtu ai akuzohet se porositi vrasjen e administratorit të shkollës private Lulzim Masha, ku dyshohej se si vrasës me pagesë u ngarkua Skerdi Tase. /ZËRI