
TIRANË – Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë ditës së djeshme në Kombinat të Tiranës, ku një 25-vjeçare ka plagosur me thikë bashkëjetuesin e saj, pas një konflikti të çastit.
Autorja e ngjarjes ka rrëfyer për News24, gjithçka që ka ndodhur në banesën e çiftit. Ajo tha se bashkëjetuesi kishte qenë me temperaturë një natë para ngjarjes.
Bashkëjetuesi Erald Tosku kishte kërkuar të ikë në punë në mëngjes, por bashkëjetuesja i kishte thënë se është me temperaturë të lartë dhe do ishte mirë të bënte pushim.
Gruaja thotë se në këtë moment, bashkëjetuesi është inatosur dhe i ka gjuajtur me shuplakë. E reja shprehet se është dhunuar edhe gjatë kohës që ka qenë shtatëzënë. Sipas saj, vetëm këshilla që i ka dhënë, të bënte pushim nga puna se ishte me temperaturë, ka bërë që bashkëjetuesi të inatoset.
E reja shprehet se Tosku ka qenë i pari që donte ta godiste atë, por se ia ka marrë thikën dhe e ka qëlluar.
“Ishte sëmurë gjithë natën. Po punonte në kohë me shi dhe i thashë mos ik sot se nuk je mirë. Ai u inatos kaq shumë, sa kisha frikë se do më vriste mua dhe fëmijën. Më gjuajti me shuplakë, kisha një frikë për jetën time. Më ka gjuajtur edhe kur isha shtëtzënë. Për këtë që ndodhi, nuk shkova në polici e nuk kam treguar as te të afërmit.
Në mëngjes nisi grindja më e madhe. Sapo ishim çuar nga gjumi e ishte ora 8. Kishte temperaturën 40. I rekomandova të mos shkonte në punë, sepse kishte probleme me veshkat e me mushkëritë. Kur e mori shoku në telefon dhe i tha se e kanë hequr nga puna, atij i iku truri.
Më tha edhe se do më hidhte nga ballkoni e do më merrte djalin. Pastaj u ngrit, kapi thikën dhe ndodhi ajo që ndodhi. Unë e kapa thikën dhe e ndalova. Dhe herë të tjera më kishte kërcënuar se mund të më vriste”, tha gruaja.
Një konflikt mes çiftit gjatë ditës së djeshme në Kombinat degradoi në përdorimin e thikave. Gruaja plagosi bashkëjetuesin Erlad Tosku. Bashkëjetuesi është jashtë rrezikut për jetën. Gruaja u shoqërua në polici, por u lirua pas marrjes në pyetje./Zëri.ai/