Aktualitet

Pikëpyetjet dhe shkeljet e zgjedhjes së rektorëve në Universitete, akuzat për plagjiaturë

Studentët e Universitetit të Tiranës, më i madhi në Shqipëri, kishin vetëm një alternativë, rektorin Artan Hoxha që u zgjodh për një mandat të dytë, pavarësisht akuzave për plagjiaturë. Edhe në Universitetin e Mjekësisë rikandidoi dekani aktual i mjekësisë Xheladin Draçini që u zgjodh me shumicë absolute.

Florida Mingla
Pikëpyetjet dhe shkeljet e zgjedhjes së rektorëve në
Rektorët, gazetarja Florida Mingla

TIRANË- 116 mijë studentë kanë pasur mundësinë që të votojnë më 22 qershor për të zgjedhur rektorët, dekanët dhe senatin akademik, por i gjithë procesi u zhvillua mes parregullsish. Ajo që ra në sy nga raportimet e bëra gjatë procesit të zgjedhjeve ishte pjesëmarrja e ulët dhe mungesa e alternativave. Gjithashtu dhe fakti që mediat nuk ishin të pranishme në momentin e votimit.

Studentët e Universitetit të Tiranës, më i madhi në Shqipëri, kishin vetëm një alternativë, rektorin Artan Hoxha që u zgjodh për një mandat të dytë, pavarësisht akuzave për plagjiaturë. Edhe në Universitetin e Mjekësisë rikandidoi dekani aktual i mjekësisë Xheladin Draçini që u zgjodh me shumicë absolute.

Në Universitetin Bujqësor gjithashtu do të shërbejë për katër vite të tjera rektori aktual Fatbardh Sallaku.

Edhe tek Universiteti i Politeknikut paraqitet e njëjta situatë pasi kandidoi i vetëm zëvendësrektori aktual Akli Fundo.

Në Universitetin e Sporteve është rizgjedhur rektori Agron Kasa.

Në atë të Arteve pati ndryshim, pasi kishte garë mes Artan Peqinit dhe Erald Bakalli. Pas procesit zgjedhor, rektor i ri tek artet u zgjodh Bakalli.

Ndryshe nga situata në Tiranë, në rrethe ka pasur dy deri në tre alternativa votimi.

 

Qëndresa Qytetare ka renditur një sërë shkeljesh të faktuara gjatë këtij procesi zgjedhor, që nga logot e partive në kutitë e votimit, fotografimi i votës e deri tek futja për të votuar pa mjet identifikimi, si të studentëve, ashtu edhe të pedagogëve. Gjithashtu, në ambientet e universiteteve është parë dhe një prani e të rinjve të paautorizuar të cilët i kanë orientuar të tjerët për votimin e kandidatëve.

Pengimi i gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave është evidentuar gjithashtu si shkelje, pa harruar edhe printimin e fletëve të votimit. Reklama, e cila nuk u lejohet dekanëve apo rektorëve sërish ndodhi, pasi në pjesën dërrmuese të qendrave të votimit kishte postera të kandidatëve.

Ndërkohë që kandidatët kishin prezantuar platformat e tyre për zgjedhje, ish-zëvendësministri Taulant Muka denoncoi për plagjiaturë punimin doktoral të rektorit Artan Hoxha dhe dekanen e Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha. Aktivistë të Qëndresës Qytetare kërkuan shqyrtimin e plagjiaturës së rektorit Artan Hoxha dhe dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.

Vetë rektori u mbrojt, duke thënë se pjesa për legjislacionin e huaj nuk ishte një studim i tij dhe se ndoshta mund të ketë probleme me referimet e punimit shkencor, por jo vjedhje siç akuzohet.

Por, deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga ana e Universiteteve. Të njëjtët pedagogë vijojnë të riciklohen e rizgjidhen rektorë mes akuzave të shumta për plagjiaturë e jo vetëm. Presidenca ia kalon topin Ministrisë së Arsimit, ndërsa kjo e fundit hesht.

Verifikimi i punimeve shkencore të stafit akademik në Universitetin e Tiranës ishte një nga kërkesat kryesore të studentëve në protestat masive të vitit 2018. Por, ky premtim, kur kanë kaluar gjashtë vite, nuk është mbajtur. Ministria e Arsimit u zotua se sistemi elektronik do të jepte zgjidhje por kur as kjo gjë nuk dha rezultate, ia kaloi si detyrë vetë Universiteteve, gjë që ka bërë që rastet e kapura në plagjiaturë të zerohen.

Mbi shpinën e rektorit Hoxha sot rëndon një tjetër akuzë, ajo se ka favorizuar një shtëpi botuese, në pronësi të dajës së tij, për të gjitha botimet që kanë si objekt Universitetin e Tiranës.

Shtëpia botuese “Morava”, me pronar dajën e rektorit, Agron Morava ka marrë e vetme mbi 200 mijë euro tendera nga UT, ndërkohë që në garë nuk ka patur asnjë kompani tjetër që të prezantojë ofertë. Bëhet fjalë për shtëpinë botuese “Morava” që ka marrë mbi 200 mijë euro tendera nga Universiteti i Tiranës.

Poll

MOS HUMB