
DURRËS- 3 persona janë vënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për vjedhjen e të paktën 7 banesave, në harkun kohor të një viti. Në pranga kanë rënë Ilir Sharka, Aldi Rama dhe Arif Nezha. Ata i vodhën pak kohë më parë gjyqtares, Shpëtime Pitaku, 3 mijë euro nga banesa e saj dhe disa çanta.
Siç shihet dhe nga pamjet, 3 autorët përdornin litarë për t’u ngjitur në banesa, dhe zakonisht synonin shtëpi të personave me funksione publike ose biznesmenëve. Ata i kryenin vjedhjet kur nuk kishte njerëz në këto banesa.
Policia ka sekuestruar rreth 115 000 lekë, bizhuteri dhe aksesorë të tjerë të vjedhur, si dhe veshje të përdorura nga të arrestuarit, gjatë vjedhjeve, 2 celularë dhe 3 automjete.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, menjëherë pas denoncimeve të disa qytetarëve, se në banesat e tyre, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, iu kishin vjedhur para dhe sende me vlerë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Metoda”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit I. Sh., 26 vjeç, A. R., 32 vjeç dhe A. N., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, pasi rezulton se:
-më datë 05.06.2023, kanë vjedhur në banesën e shtetases V. P. (me detyrë gjyqtare), 3 çanta dhe 3 000 euro;
-më datë 16.10.2022, në banesën e shtetasit N. R., kanë vjedhur 40 000 lekë dhe 2 bizhuteri floriri;
-më datë 21.01.2023, në banesën e shtetases A. L., kanë vjedhur 11 000 euro dhe bizhuteri me vlerë 5000 euro;
-më datë 09.05.2023, në banesën e shtetasit S. A., kanë vjedhur 1 000 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë 200 000 lekë;
-më datë 15.07.2023, në banesën e shtetasit Y. Ç., kanë vjedhur 4000 euro dhe 150 000 lekë;
-më datë 31.08.2023, në banesën e shtetasit E. K., kanë vjedhur 1500 euro;
-më datë 30.09.2023, në banesën e shtetasit A. S., kanë vjedhur 100 000 lekë dhe bizhuteri floriri”, njofton policia e Durrësit.