
TIRANË- Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka reaguar këtë të martë në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas mjekimit në klinikën “Splendent” nga mjeku Roland Xhaxho. Përmes një deklarate për mediat USSH bën me dije se kja kërkuar nga Xhaxho vënien në dispozicion të të gjithë të dhënave në lidhje me mjekimin e të miturit.
“Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë kërkon publikisht e zyrtarisht nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar, të gjitha të dhënat e mjekimit, perfshirë protokollin e mjekimit që është aplikuar për vogëlushin e ndjerë Brian Spahiu, grafitë para e pas mjekimit etj, sipas kërkesave të Komisionit Disiplinor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje. Stomatologu kurues të sigurojë urgjentisht kontaktet me sekretarinë e Rajonit të USSH Tiranë”, thuhet në njoftim.
NJOFTIMI:
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë kërkon publikisht e zyrtarisht nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar, të gjitha të dhënat e mjekimit, perfshirë protokollin e mjekimit që është aplikuar për vogëlushin e ndjerë Brian Spahiu, grafitë para e pas mjekimit etj, sipas kërkesave të Komisionit Disiplinor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje. Stomatologu kurues të sigurojë urgjentisht kontaktet me sekretarinë e Rajonit të USSH Tiranë.
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegushme dhe penalizuese kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues, mosprezenca në media edhe mosparqitja në zyrat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë.
Deri tani Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka ndjekur me tepër vëmendje reanimatorin Prof.Xhaxho, për të cilin nuk kemi asnjë koment, por për Prof.Xhaxho do të ishte tepër e domosdoshme, ligjore, etike dhe korrekte që në daljen e tij mediatike të ishte sëbashku me stomatologun që bëri mjekimin si në çdo rast tjetër të ngjashëm e simetrik.
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka tagrin ligjor e statutor të informohet imtësisht nga stomatologu që ka kryer ndërhyrjen dentare, ndërkohë që akoma s’ka një emër konkret.
Ngjarja e rëndë u bë publike pesë ditë më parë, por gjithçka ka filluar më 28 shtator, në orën 10:00 të paradites. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për nëntë orë. Sipas dëshmive, Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.
Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit.
Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 Tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, pasi sipas tyre shkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen./Zëri.ai