Aktualitet

Milan Radoiçiç heq dorë nga bizneset në Serbi

Ish-kreu i Listës Serbe, që mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, ka tranferuar bizneset e tij tek bashkëpunëtorët

D.XH
Milan Radoiçiç heq dorë nga bizneset në Serbi
Radoiçiç dhe Veselinoviç

SERBI  - Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç ka hequr dorë nga bizneset e tij. Ai ua ka dorëzuar gjashtë bizneset, vëllezërve Veselinoviç.

Media serbe N1, shkruan se Radoiçiç, duke hequr dorë se qënit pronar në kompaninë INKOP në Çupria, automatikisht ka pushuar së qëni bashkëpronar në pesë kompani të tjera, që janë “Dolly Bell” Novi Beograd (aktivitete hotelesh dhe akomodime të ngjashme), “Novi Pazar – Put” (e regjistruar për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave), “Betonjerka Aleksinac” (merret me prodhimin e shtyllave të betonit, nënstacioneve dhe elementeve mbështetëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të eletroenergjisë), “VelmorTrans” (e regjistruar për transport tokësor urban dhe ndër-urban të udhëtarëve ), por edhe “Putna Izgradnja Rozhaje” në Mal të Zi (degë e kompanisë “Novi Pazar – Put”).

Pesë kompanitë janë 100 përqind në pronësi të kompanisë INKOP, me seli në Çupria, pronar i së cilës, deri më 6 tetor ishte Radoiçiç. Gjatë vitit 2022, INKOP, së bashku me filialet e tij, ka realizuar fitime nga biznesi 10. 67 miliardë dinarë dhe një fitim neto prej 2.67 miliardë dinarë.

Pjesa e Radoiçiçit prej 40 për qind, pas daljes nga pronësia, u nda nga dy pronarët e mbetur, vëllezërit Veselinoviç.

Radoiçiç dhe Veselinoviç

Radoiçiç dhe Veselinoviç kanë qenë në qendër të vëmendjes dhe të mediave, për shkak të problemeve të tyre me policinë dhe gjykatat.

Radoiçiç akuzohet nga Kosova për terrorizëm, ndërsa ka edhe akuza nga Prokuroria e Beogradit. Ndërsa, Zvonko Veselinoviç dyshohet se ka paguar para për eliminimin fizik të dy inspektorëve policorë, të quajtur Slobodan Milenkoviç, si dhe vrasjen e inspektorit Dushan Mitiç.

Si Radoiçiç, ashtu edhe Veselinoviç njihen si pronarë të kompanive në industrinë e ndërtimit, rritja e biznesit të të cilëve është ndikuar edhe nga fakti se ata kanë mbajtur dhe poste shtetërore. Llogaritet se të ardhurat nga bizneset të dy bashkëpunëtorëve kanë qenë mbi 90 milionë euro.

Kush është Radoiçiç?

Radoiçiç, një ish-politikan, është personi, që akuzohet nga autoritetet në Prishtinë, se ka qenë organizatori i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Ai pranoi edhe vetë se ka qenë në manastirin e fshatit. Për të janë ngritur akuza, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi. Kosova ka kërkuar ekstradim të Radoiçiç nga Serbia, me qëllim që ta dënojë për sulmin e rëndë që kreu./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB