ELBASAN-Një punonjës policie në qytetin e Elbasanit është pezulluar nga detyra pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit në krim. ëhet fjalë për efektivin e patrullës së përgjithshme Ervis Kaloti, i cili përveç pezullimit nga detyra është ndaluar të largohet jashtë vendit dhe është detyruar të paraqitet rregullisht në policinë gjyqësore.
AMP në njoftimin zyrtar raporton se inspektori dyshohet se informonte persona të shpallur në kërkim për veprime të policisë dhe operacione që mund të zhvilloheshin ndaj tyre. Sipas të njëjtave burime, në disa raste ai mund t’i ketë shoqëruar këta persona në komisariat dhe më pas t’i ketë liruar, duke i ndihmuar të shmangnin pasojat ligjore.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 242 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësit të policisë;
Inspektor E. K., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim” parashikuar nga nenet 248 dhe 302 i Kodit Penal.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitin 2025, ku nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale ka rezultuar se punonjësi i policisë duke shpërdoruar detyrën ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundraligjshëm.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundraligjshme si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.