
TIRANË- Erzen Breçani, një prej ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit sot është pas hekurave për lidhje me krimin. Ai u arrestua një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për përfshirje në një grup kriminal që merrej me transport kokaine nga Amerika Latine.
Erzen Braçani është i njohur për publikun në për lidhjet e tij politike, të cilat në momente të caktuara i kanë kushtuar dhe uniformën e policit që mbante derisa të largohej përfundimisht nga Policia e Shtetit. Gjatë karrierës së tij më shumë se 20-vjeçare në strukturat e rendit, Erzen Breçani është pezulluar disa herë nga Policia për shkelje të rregullave dhe etikës. Tek kjo e fundit ka lidhje dhe politike, nga e cila dukej se ish-kryepolici i Tiranës nuk shkëputej dot.
Pezullimi i parë
Ishte 9 prilli i vitit 2013 kur Erzen Breçani me urdhër të Kryepolicit të kohës Hysni Burgaj do të pezullohej me 1 muaj nga detyra, asokohe Breçani mbante detyrën e zv.drejtorit për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shkak u bë një akuzë e ngritur nga televizioni Top Channël, i cili pretendonte se Policia kishte dhunuar një operator gjatë ndeshjes së 21-të të Superiores mes Tiranës dhe Skënderbeut.
Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit deklaronte asokohe se ndaj Erzen Breçanit është dhënë masa pezullimit paraprak nga detyra, pasi ndaj tij kishte filluar ecuria disiplinore.
Pezullimi i dytë
Më 3 korrik të vitit 2013, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Erzen Breçani do të pezullohej për 1 muaj nga detyra për shkak të një statusi në Facebook, ku anatemohej kryeministri i zgjedhur Edi Rama.
Përmes rreshtave në Facebook Breçani e quante Ramën pinjoll të komunizmit dhe nazist, duke mos nguruar ta krahasonte dhe me Hitlelin. Statusi nuk u mohua nga Breçani atë kohë por ama shprehej se nuk e kishte shkruar ai. “Fatin” e tij e la në dorë të Policisë. Por socialistët se lanë me kaq.

Në Komisonin Hetimor të ngritur në vitrin 2014 për lëvizjet në Policinë e Shtetit, deputeti i PS Taulant Balla “e thumbonte” për statusin e dikurshëm duke i thënë: Mos ia lini më telefonin djalit. (Pasi Breçani kishte deklaruar se statusi në FB mund të jetë postuar nga i biri).
Erzen Breçani për mediat: Kam 20 vite në policinë e shtetit dhe kam kryer detyrën duke respektuar ligjin.Sulmet ndaj meje kanë qënë gjithmonë të qëllimshme nga eksponentë të Partisë Socialiste.Nuk do të largohem nga policia e shtetit dhe do jem në krye të detyrës duke respektuar ligjin dhe në shërbim të komunitetit. Kam komunikuar në telefon me liderin e PS-së. Nuk kam asgjë personale me të. Çdo lider dhe çdo kryetar partie e ka pasur numrin tim. Unë jam në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të çdo force politike.
Erzen Breçani, ish-kryepolici i Tiranës dhe një nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit gjatë viteve u arrestua një ditë më parë me urdhër nga SPAK për përfshirje në një grup kriminal që merrej me transport kokainë nga Amerika Latine. Ndërsa i biri Eralbi Breçani është shpallur në kërkim. Po ashtu në kërkim është shpallur dhe biznemeni Ervin Mata. Në vitin 2013, pas marrjes së qeverisë nga Partia Socialiste, Erzen Breçani shkëputi lidhjen me këtë strukturë./Zëri.ai