
TIRANË- Një konflikt mes disa personave, ka ndodhur 4 ditë më parë në zonën e Vorës, ku janë përdorur edhe armë. Ngjarja është zhvilluar në ambientet e një biznesi në pronësi të shtetasit Flordjan Elezi.
Sipas weblajm, mbrëmjen e datës 14 Qershor, shtetasit Olsen Hoxha, Avdyl Bodlli dhe një person i paidentifikuar ende nga policia, kërcënuan Sali Aruçin, rojen e një objekti, në pronësi të Elezit.
Pasi e kërcënuan, të njëjtët persona u konfliktuan me pronarin e firmës Flordjan Elezin si dhe Petrit e Eskobar Elezin, të afërm të biznesmenit.
Sipas dosjes hetimore, që është duke u ndjekur nga prokurori Arjan Muça, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:15, ku tre personat përdorën një armë gjahu, me të cilën dëmtuan automjetet e personave me të cilët u konfliktuan.
Lidhur me këtë çështje, 7 persona janë marrë në pyetje, është kryer një ekspertim mjeko ligjor, daktiloskopik, balistik dhe ADN-je. Po ashtu është kqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar materiale të shumta, në mesin e të cilave edhe kamerat e sigurisë si dhe një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Stoeger Cougar 8000 Fl”, me dy krëhra pa fishekë.
Dy armë gjahu, njëra Shotgun dhe tjetra me mbishkrimin “Pietro Berrehta”, në pronësi të Flordjan dhe Petrit Elezit, të cilat rezultojnë armë me leje nga organet përkatese. Përvec tyre u bë e mundur sekuestrimi i 3 gëzhojave që u gjetën në vendin e ngjarjes, dy automjete tip BMË X5 si dhe 28 000 lekë të reja.
Në kuadër të hetimeve të nisura nga prokuroria, u ushtrua kontroll në banesat e Flordjan Elezit si dhe të katër shtetasve të tjerë, ku nuk u gjenden sende të kundërligjshme.
Prokurori i çështjes, e vlerëson të ligjshëm arrestimin e Flordjan Elezit dhe të Sali Aruçit dhe kërkon nga gjykata e Tiranës caktimin e masës “arrest në shtëpi” ndaj tyre.
Këta dy persona pritet të dalin përpara togave të zeza. Ndaj Elezit janë ngritur 4 akuza, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që penojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërsa ndaj Aruçit, organi i akuzës ka ngritur akuzën “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që penojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë që 3 personat që dyshohet se kanë nisur edhe konfliktin janë shpallur në kërkim nga policia./ZËRI