
VLORË- Pas përmbytjeve të mëdha nga moti ekstrem që përfshiu Vlorën, situata është përmirësuar gjatë pasdites. Rrugët e mbuluara nga uji që paralizuan qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve, tashmë janë pastruar, duke lehtësuar lëvizjen në disa zona kryesore të qytetit.
Pamjet e mëngjesit treguan një Vlorë "nën ujë", ku rrugët e Skelës, lagjja Pavarësia, 28 Nëntori, Kushtrimi dhe lagjja Albano dhe Romina ishin mes zonave më të prekura. Prania e madhe e ujit kishte bllokuar qarkullimin, duke krijuar vështirësi për qytetarët dhe për bizneset që operojnë në këto zona. Megjithatë, deri në pasdite, shumë prej këtyre rrugëve u pastruan dhe u bënë sërish të kalueshme. Ajo që ka mbetur pas tërheqjes së ujit është një shtresë e trashë balte dhe inerte, e cila ka mbuluar rrugët dhe po krijon probleme për qarkullimin e mëtejshëm. Këto mbetje janë përqendruar veçanërisht në rrugët më të ulëta, ku përmbytjet ishin më të rënda.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit./ ZËRI