
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj aktivistes Adriana Kalaja, pasi dyshohet se pengoi lëvizjen e një automjeti në pronësi të bashkisë Tiranë, me të cilin po transportoheshin dokumente. Policia bën me dije se dokumentet po transportoheshin nga Bashkia e Tiranës në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1: referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. K., 61 vjeçe, pasi ditën e djeshme, ka penguar lëvizjen e një automjeti në pronësi të bashkisë Tiranë, me të cilin po transportoheshin dokumente, nga ky institucion, te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave”, njofton policia.
Ndaj Kalajës edhe Bashkia e Tiranës ka depozituar një kallëzim. Sipas bashkisë, aktivistja një mjet të ndërmarrjes së mirëmbajtjes së objekteve publike të Bashkisë, duke bllokuar rrugën dhe duke refuzuar të largohej. Pas kësaj, në vendngjarje ka mbërri6tur edhe një ekip i Policisë Rrugore, i cili i ka kërkuar të lirojë rrugën por ajo ka refuzuar. Në kallëzimin e ngritur ndaj saj, thuhet se ka kërcënuar verbalisht shoferin e kamionit dhe ka fyer punonjësit e Policisë Bashkiake./ZËRI