TIRANË- Programi i ri “Pas Shkolle”, i shpallur zyrtarisht në fund të muajit korrik, ka nisur të përballet me kundërshtimet e para nga prindërit ende pa nisur zyrtarisht viti i ri shkollor.
Kjo nismë, e cila synonte t'u ofronte nxënësve hapësira përforcimi mësimor dhe aktivitete pas orarit zyrtar, duket se po has në një problematikë. Shkak, rezulton të jetë infrastruktura e shkollave publike, ku mungesa e hapësirave ka shtuar turnet për nxënësit që nuk zgjedhin të ndjekin programin "Pas Shkolle".
Përmes një njoftimi të dërguar për prindërit, drejtoria e këtij shkollës 9-vjeçare "Hasan Prishtina" në Tiranë, ka bërë me dije se për shkak të mungesës së hapësirave, të gjithë nxënësit e klasave III, IV dhe V që nuk zgjedhin të ndjekin programin “Pas Shkolle” do të detyrohen të zhvillojnë mësimin e rregullt në turnin e dytë, duke filluar nga ora 13:30.
"Nxënësit e klasave III, IV dhe V që nuk janë të regjistruar në programin "Pas Shkolle" do të zhvillojnë mësimin në turnin e dytë (duke nisur nga ora 13:30). Kushtet dhe infrastruktura aktuale e shkollës nuk mundësojnë që i gjithë procesi mësimor të zhvillohet vetëm në turnin e parë", thuhet ndër të tjera në njoftimin e shkollës.
Ky vendim ka nxitur menjëherë reagimin dhe revoltën e prindërve. Në një kërkesë zyrtare drejtuar shkollës, përfaqësuesit e prindërve e kanë quajtur vendimin si një formë diskriminimi. Sipas tyre, kushtëzimi i turnit të parë me pjesëmarrjen në programin jashte mësimit cenon fëmijët që nuk e ndjekin atë, duke i penalizuar ata me orare të vona.
Prindërit kanë renditur një sërë problematikash dhe shqetësimesh që sjell ky ndryshim orar që prek fëmijët e tyre, si:
-Pasiguria gjatë kthimit në shtëpi në mbrëmje (në vjeshtë/dimër).
-Pamundësia e prindërve në punë për t'i shoqëruar.
-Mungesa e kohës për detyrat, sportin dhe pushimin.
Prindërit i kanë kërkuar zyrtarisht drejtorisë së shkollës pezullimin e vendimit, transparencë mbi mënyrën se si po aplikohet dhe zhvillimin e një takimi urgjent për të gjetur një alternativë që nuk dëmton fëmijët përpara nisjes së vitit mësimor.
Ndërsa programi “Pas Shkolle” synon të lehtësojë jetën e familjeve dhe të krijojë më shumë mundësi për nxënësit, zbatimi i tij po ngre pikëpyetje për mënyrën se si po organizohet mësimi për fëmijët që nuk bëhen pjesë e programit.
Programi këtë vit do të shtrihet në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Ai synon t’u ofrojë nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre përmes një sërë aktivitetesh, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje, arte pamore dhe sport./ZËRI