TIRANË- Ministri Ervin Demo ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera.
Demo ka dënuar sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private, ndërsa ka theksuar se e drejta për protestë paqësore duhet të garantohet. Në reagimin e tij, ministri është ndalur edhe te pretendimet për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga efektivët, duke kërkuar që ato të shqyrtohen paanshmërisht nga organet kompetente.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të ruhet dhe të verifikohet çdo pamje apo dëshmi që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa ka theksuar se përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave.
Demo ka shprehur shqetësimin për të gjithë personat e lënduar gjatë protestës, përfshirë studentët, qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë. Ai ka nënvizuar se gazetarët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në siguri.
Ministri Ervin Demo thirrje për uljen e tensioneve
Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve. Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.
Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre. Njëkohësisht, çdo veprim i policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.
Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.
U kam kerkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri.
Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme./ZËRI