
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shtyrë seancën ndaj dhëndrit të liderit të opozitës, Jamarbër Malltezi. Seanca për revokimin e masës së sigurisë për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD është shtyrë për në datën 8 mars. Më herët u njoftua edhe për shtyrjen e seancës ndaj kryedemokratit, Sali Berisha. Avokati i këtij të fundit tha se qëllimi i gjykatës është që të djegë mandatin e tij.
Për çfarë akuzohet Jamarbër Malltezi?
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe tashmë vijon betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Avokatët kërkojnë që Malltezi të mos ketë asnjë masë sigurie me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet./ZËRI