
GREQI- Një shqiptar, i dënuar me 65 vite burg po mbahet në paraburgimin e Trikalasë, pasi kishte gjetur mënyrat për të kaluar kohën dhe për të fituar para, shkruajnë mediat greke.
Olti Dulçe alias Gladjol Shushari tregtonte heroinë brenda burgut dhe nga ky veprim i paligjshëm kishte arritur të fitonte 50 mijë euro. Por ky plan nuk ka zgjatur shumë pasi është pikasur nga policia. Pas përdorimit të informacionit dhe vëzhgimit, efektivët bastisën burgun dhe arritën të shkatërrojnë organizatën kriminale e cila përbëhej nga 6 persona.
Në grup 5 persona janë grekë, ndërsa shihet përfshirja e një vajze shqiptare. Ata janë i burgosuri Ipokratis Kouluris, 44 vjeç, Olga Koulouri, 64 vjeç, Eli Koulouri, 41 vjec, Nikolaos Ntats, 50 vjeç, Odhiseas Mpakosglou, 29 vjeç dhe shqiptarja Doriana Aliu, 33 vjeçe.
Si funkiononte organizata brenda burgut
Dulçe kishte arritur të bënte bashkëpunëtor dhe një të dënuar tjetër grek, i cili shfrytëzonte familjarë të tij për të sjellë drogën të fshehur në çanta e më pas i’a jepte 41-vjeçarit shqiptar. Anëtarët e organizatës kishin role dhe ishin aktivë që nga dhjetori i vitit 2023. Shqiptari i burgosur i jepte informacion grupit të tij që ndodhej jashtë burgut se ku ta merrte drogën. Më pas, një grua që ishte rrobaqepëse me profesion, fshihte drogën në qepjet e çantave të zeza. Më pas një tjetër anëtar, me pretekstin e vizitës, hynte në burg dhe i jepte çantat bashkëpunëtorit të tij dhe ai nga ana tjetër, drejtuesit që kishte marrë përsipër të gjithë trafikun.
Kush është shqiptari i dënuar me 65 vite burg
Olti Dulçe alias Gladjol Shushari, me precedentë në Shqipëri, u arrestua në 31 gusht 2016 në pikën e kalimit kufitar Gueshevo në Bullgari dhe më pas u ekstradua në Greqi. Ai kërkohej nga policia greke si i përfshirë në një përplasje me armë zjarri në nëntor 2014 në Mikrolimano bashkë me shqiptarin Arbër Bako, i vrarë në burg, ku nga të shtënat në një lokal nate u plagosën 15 persona.
Ai gjithashtu rezultonte i përfshirë në tentativën e vrasjes së avokatit grek Giorgo Antonopoulo në 2014 dhe gjatë kohës që ishte në burg, është akuzuar si i përfshirë në dhënien e urdhrit për vrasjen e avokatit grek Mixali Zafiropoulo në vitin 2019. Më parë, Dulçe është përfshirë edhe në tre sulme të armatosura në Metaksourgio, Agio Pantaleimona dhe Omonia, ku në një prej tyre mbeti i vrarë një 43-vjecar, klient i një lokali. Dulçe konsiderohet bashkëpunëtor i shqiptari Klodian Lekoçaj alias Klod Cara, i përfshirë në disa vrasje dhe ngjarje të rënda në Greqi.
/ZËRI