
TIRANË- Shtyhet sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mbahet më 19 korrik. Pas seancës, avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, në një deklaratë për gazetarët, u shpreh se për vënien në dispozicion të dokumenteve nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ai është kërkuar pagesë.
Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që të marrë edhe 3 muaj kohë, deri në 2 tetor, për të zgjatur afatet e hetimit për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani".
“U çel seanca! Ju e dini që ne në dispozicion kishim informacionin dy mujor të hetimeve të SPAK, për të cilën jemi shprehur, pasi ne e kemi parë, Ky informacion mbështetet mbi një bazë dokumentare që ne nuk e disponojmë deri në momentin që po flasim. Kolegu ka ardhur në Gjykatë dhe i kanë vendosur kusht që aktet të merren kundrejt pagesës. Të mirëkuptohemi ky nuk është problem dëshirë, por standardi. Kanë edhe praktikën e zotit Beqaj që ia kanë dhënë aktet. Ne nuk jemi persona të interesuar në proces, ne jemi figurë proceduriale. Pse ka gabuar Gjykata? Rruga e zvarritjes. Ata kanë marrë zgjatjen dhe duan ta mbajnë këtë çështje. Kjo vendosi që aktet duhen marrë me pagesë. Ne nuk folëm në nivel financiar, u diskutua problemi që ne na takojnë këto akte. Këta po hapin shkolla të reja për të krijuar probleme proceduriale,”- u shpreh ai.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen në arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u lirua. Kjo pasi edhe ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi./ZËRI