
DURRËS- Pamjet që po shihni tregojnë momentin e aksidentit të rëndë të regjistruar një ditë më parë në lagjen 14 në Durrës ku një makinë tip “Benz” me shpejtësi të lartë, e cila drejtohej nga një 17-vjeçar përplas një biçikletë e më pas del nga rruga duke u përplasur me një gomisteri dhe një makine të parkuar.
Nga aksidenti ndërroi jetë drejtuesi i biçikletës. Ndërkohë pas aksidentit, 17-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të largohej nga vendi i ngjarjes. Policia u vu në ndjekje të tij, por arrestimi i adoleshentit u bë i mundur vetëm këtë të shtunë. Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të patrullës së përgjithshme, si rezultat i kontrolleve për kapjen e autorit të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 17:30, në lagjen 14/1, ku u përplasën automjeti me drejtues shtetasin L. Z., motomjeti me drejtues shtetasin Sh. S. dhe biçikleta me të cilën lëvizte shtetasi F. Gj., mundësuan kapjen dhe vënien në pranga të drejtuesit të automjetit, shtetasit L. Z., 17 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë e këtij aksidenti, humbi jetën shtetasi F. Gj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit” ,”Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vëndi i aksidentit”.