
TIRANË- Janë zbardhur pamje nga kamerat e sigurisë së banesës së 34-vjeçarit Asqeri Mandri në Kodër Kamëz, i cili i kishte instaluar për të monitoruar bashkëshorten e tij.
Në pamje shihet teksa 34-vjeçari po luan me vajzat, dhe sipas TCH, pas këtij momenti, Mandri çohet dhe dhunon bashkëshorten në sy të fëmijëve të mitur.

Në banesë, Asqeri Mandri mbante të izoluar bashkëshorten e tij nënën e 4 fëmijëve. Xhelozia e Asqeri Mandrit shkonte përtej kamerave dhe kyçjes në banesë, ai edhe e dhunonte bashkëshorten e tij. Kamerat e sigurisë që ai vetë i kishte montuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë një provë e fortë kundër tij pasi kanë filmuar momentet kur 34-vjeçari dhunon bashkëshorten në sy të tyre.
Ndërkohë në dëshminë që e reja ka dhënë para uniformave blu tregon se i shoqi ka qenë gjithmonë xheloz, por largimi si emigrant e ka bërë edhe më agresiv. Ajo tregon se episodet e dhunës u bënë të shpeshta ç’ka e detyruan të denoncojë në polici. Nga ana tjetër familja e Asqeri Mandrit mohojnë dhunën por ngarkojnë me faj nusen e shtëpisë duke e akuzuar se i ka ngritur kurth bashkëshortit duke e kthyer nga emigrimi për ta futur në burg. Madje sipas nënës së 34-vjeçarit nusja e tradhtonte djalin e saj.
/ZËRI