Aktualitet

Opozita sot në protestë! Mbi 1 mijë efektivë zbresin sot në terren, zbulohet plani i masave

Protesta do të nisë në orën 17:00, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit.

zh.ll
Opozita sot në protestë! Mbi 1 mijë efektivë zbresin sot
pamje nga protesta e 24 janarit

TIRANË- Sot në orën 17:00, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të opozitës organizojnë një protestë kombëtare në Bulevardin kryesor të Tiranës, përpara Kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 17:00, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se është parashikuar që rreth 1.300 efektivë të jenë në terren dhe në gatishmëri ndërsa përveç forcave të rendit, Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-s, do të ketë edhe agjentë civilë.

Në kuadër të masavet të publikuara mbrëmjen e djeshme nga Policia e Shtetit, që prej orës 23:45 të së hënës, është bllokuar lëvizja dhe nuk lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Ndërsa që prej orë 15:00 të ditës së sotme dhe deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Protesta kombëtarë e 10 shkurtit do të jetë e treta në radhë pas asaj të 24 janarit. Protesta e fundit u mbyll me përplasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku 11 efektivë mbetën të lënduar dhe 18 persona u shoqëruan në Komisariat. Gjithashtu, u dëmtuan 11 punonjës policie të cilët morën mjekim në spital. 

Opozita zhvilloi protestën e parë kombëtare më 22 dhjetor 2025, tubim i cili u shoqërua edhe me tensione, ku në përfundim të fjalimit mbyllës të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, protesuesit hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe hoqën gardhin metalik. Një qytetar u përfshi nga flakët dhe një efektiv policie u plagos./ZËRI

Poll

MOS HUMB