
VLORË- 3 persona janë vënë në prangat e policisë në Vlorë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, që është zhvilluar në 3 shtete të ndryshme, Itali, Gjermani dhe Shqipëri. Të tre personat janë vënë në pranga në qytetin e Vlorës, pasi ndaj tyre ka një masë sigurie ‘arrest me burg’ të dhënë më herët nga Gjykata e Bolonjës. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se në pranga kanë rënë vëllezërit Ledian dhe Florjan Muho, si edhe shtetasi Landi Kalemaj.
Këta persona u denoncuan më herët si të humbur nga familjarët e tyre, për shkak se kishin ndërprerë kontaktet me ta pas arrestimit. Në total, në kuadër të operacionit "Sammogia", i iniciuar nga Policia italiane, janë arrestuar 13 persona në të treja shtetet.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Sammogia”.
Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.
Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.
/ZËRI