TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka ndarë pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit të madh që ka përfshirë Fierin, duke bërë të ditur se në terren janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Përmes një postimi, Nufi theksoi se forcat po vijojnë ndërhyrjen në mbështetje të ekipeve zjarrfikëse për izolimin e vatrave aktive, ndërsa operacionet po zhvillohen edhe në zona të tjera të vendit ku janë raportuar zjarre.
Postimi i plotë:
Që prej orëve të para të ditës, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
-Në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa 10 familje janë evakuuar.
-Në Njësinë Administrative Ungrej, bashkia Lezhë, janë angazhuar 80 efektivë të të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.
-Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Zjarri konsiderohet i fikur.
-Në Dajt, vijon angazhimi me 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter të Forcës Ajrore.
-Në Mallunxë, Mat, janë angazhuar 30 efektivë dhe 1 automjet zjarrfikës i FA. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve, aty ku nevojitet./ZËRI