Aktualitet

Poliçani sfidon reformën, Këshilli Bashkiak jep dorëheqjen dhe paralajmëron protesta

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, argumentoi se kundërshtimi ndaj reformës lidhet me pasojat që ajo mund të sjellë për qytetin.

M.K.
Poliçani sfidon reformën, Këshilli Bashkiak jep dorëheqjen
foto nga protesta

POLIÇAN- Banorët e Poliçanit dolën sërish në protestë kundër planit për shkrirjen e bashkisë, ndërsa tubimi u shoqërua me një zhvillim të fortë politik: anëtarët e Këshillit Bashkiak paraqitën dorëheqjen në mënyrë unanime, duke deklaruar se të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe lista pasardhëse e këshilltarëve.

Protesta u zhvillua në ditën e nisjes së programit "Besa", ndërsa pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi për mungesën e deputetëve në qytet. Ata thanë se prisnin që përfaqësuesit politikë të dëgjonin shqetësimet e komunitetit, por kjo nuk ndodhi.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, argumentoi se kundërshtimi ndaj reformës lidhet me pasojat që ajo mund të sjellë për qytetin. "Jemi kundër një reforme që mund të sjellë humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administratë, sepse pas çdo vendi pune është një familje," u shpreh ajo.

Sipas Kulës, qëllimi i protestës nuk është mbrojtja e godinës së bashkisë, por ruajtja e institucionit dhe shërbimeve që ofrohen për qytetarët. "Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak ka vendosur unanimisht të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan," deklaroi ajo.

Ajo paralajmëroi se kundërshtimi do të vazhdojë nëse reforma ecën përpara, ndërsa kritikoi edhe mungesën e deputetëve në takimet me banorët. "Sot ishte dita që deputetët duhej të dëgjonin qytetarët, por asnjë nuk erdhi në Poliçan," tha Kula.

Në përfundim, ajo u bëri thirrje edhe bashkive të tjera që mund të preken nga riorganizimi territorial t'i bashkohen protestës. "Mos e bëni këtë reformë. Ne do ta vazhdojmë protestën edhe përpara Parlamentit. Besën jua dhamë ne, por ju nuk e mbajtët ndaj nesh," përfundoi ajo./ZËRI

Poll

MOS HUMB