
TIRANË- Në seancën gjyqësore ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen që ndodhi në lokalin “Kobra City”, ka dëshmuar A.S, e cila punonte në atë lokal. Dëshmitarja deklaroi se i akuzuari Roland Susuri kishte hequr CD-në nga sistemet e kamerave të sigurisë dhe se ajo vetë e kishte parë atë të armatosur. Më tej, ajo u shpreh se motivi i vrasjes nuk kishte lidhje me një faturë prej 400 eurosh.
“E kam parë Rolandin duke e tërhequr nga rryma një pajisje dhe duke nxjerrë CD-në, madje më tha ‘çka po i çel sytë’… Ai kishte me vete armë”, dëshmoi A.S., sipas raportimit nga “Betimi për Drejtësi”.
Ajo dëshmoi gjatë pasdites, pasi përfundoi dëgjimi i një tjetër dëshmitareje, në një seancë të mbyllur për publikun. Po ashtu, dëshmitarja A.S. rrëfeu se ishte kërcënuar nga Susuri përmes të dashurës së tij, pasi ajo e kishte përmendur emrin e tij gjatë një deklarate në Prokurori.
Ajo shtoi se ditën e ngjarjes kishte parë armë në të dy grupet e përfshira në incident, si tek pala e të ndjerit nga Kukësi, ashtu edhe tek grupi i Susurit. Më tej, ajo shprehet se disa minuta pasi Dibran Hoxhaj kishte hyrë në lokal dhe kishte ngritur zërin ndaj stafit për dëmet që i ishin shkaktuar lokalit, kishte arritur Policia.
Ajo theksoi se konflikti nuk kishte të bënte me mosshlyerjen e një fature, por kishte shpërthyer për shkak të një konflikti mes të ndjerit V.C. dhe të akuzuarit Susuri, pasi i ndjeri kishte ngacmuar ish-të dashurën e këtij të fundit. Sipas A.S, Susuri i kishte kërkuar V.C.-së që të mos e prekte vajzën dhe të mos e filmonte, por kjo nuk ishte respektuar. Madje, V.C. e kishte shtyrë Susurin dhe i kishte thënë se donte të takohej me dajën e tij, Dibran Hoxhajn.
“Më kujtohet që i tha: ‘mos më prek’ dhe pastaj shtoi që donte të takohej me Dibranin”, rrëfeu A.S.
Në momentin kur nisi krahasimi i dëshmisë së saj në gjykatë me atë të dhënë në Prokurori, A.S. mohoi disa nga deklaratat e shkruara të dëshmitares, duke thënë se ato nuk ishin fjalët e saj dhe se as firma nuk ishte e saj. Në fund, dëshmitarja kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye familjare, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues./ZËRI