
ELBASAN – Një ‘dhuratë’ në burg, dy qese me kumbulla jeshile dhe një suko dardhe, dërguar nga Ervis Daka për të burgosurin Xhafer Deliu, u bë shkak për arrestimin e Dakës. Ai akuzohet për “Kanosjes për të mos kallëzuar” dhe “Kanosje për deklarime apo ekspertim dhe përkthim të rremë”.
Daka ka dërguar kumbullat brenda burgut të Bradasheshit në Elbasan, më 8 maj 2023. Ai është paraqitur në ambjentet e burgut dhe i ka lënë një punonjësi policie, dy qese me kumbulla jeshile dhe një suko dardhe, duke e orientuar se dhurata ishte për të burgosurit Xhafer Deliu dhe Arben Spahiun, raporton Ora News.
Xhafer Deliu, në momentin që ka mbërritur ‘dhurata’, ka qenë duke vuajtur dënimin në sektorin B, të katit të 2 në dhomën nr.5 pranë burgut të Bradasheshit në Elbasan.
Kush është Xhafer Deliu
Xhafer Deliu, u arrestua në tetor 2022 dhe po vuan burgimin për akuzën e shitjes së drogës, “Dhunës në familje” dhe “Largim nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata”.
Ai në burg ndan dhomën me Arben Spahiun, kunatin e të penduarit Erjon Alibej i njohur si “Krymi”, Rigers Spahiun, që janë dy vëllezërit e Arjan Spahiut të vrarë në Belgjikë, Luis Gaxha të arrestuar për arsenalin e armëve që u gjet në çatinë e shtëpisë dhe një person nga Librazhdi, Darlino Çuçuli.
Arben Spahiu bën kallëzim për ‘dhuratën’
Në lidhje me këtë kërcënim të koduar nga Ervis Daka, ka paraqitur kallëzim penal Arben Spahiu, kunati i Erjon Alibej. Spahiu ka thënë se e njohin se kush është Daka dhe se kumbullat mund të jenë edhe ushqim helmues.
“Në 8 maj 2023, shokut tim të dhomës dhe njëkohësisht kushëririt, Xhaferr Deliu, i kanë ardhur dy qese kumbulla dhe një bidon uji boshatisur me dy gisht lëng me ngjyrë kremi. Xhaferri, nuk priste porosi nga shtëpia dhe kur ka hapur qesen me kumbulla, ka parë që ja ka sjellë Ervis Daka, pasi ishte e shkruar në letër. Xhaferri, e njeh si person por nuk ka shoqëri me Dakan. Por ne e dimë që ky person rri në Dubai me personat që në kemi hasmëri. Dyshojmë që mund të jetë ndonjë mesazh nga ata ose kumbullat, mund të kenë diçka që mund të na dëmtojnë”, ka thënë Spahiu. Ai tha se personat, me të cilët kanë hasmëri janë Hajdar Çopja, Franc Çopja dhe Mikel Kamami. Edhe Rigers Spahiu, vëllai i Arben Spahiut, ka thënë në kallëzim të njëjtën gjë.
Deklarata e Xhafer Deliut
Xhafer Deliu ka treguar momentin kur i ka ardhur ‘dhurata’, duke thënë se nuk e priste atë dhe se i ka hedhur menjëherë në tokë kumbullat.
“Ditën e sotme rreth orës 12:00, ka ardhur polici i sektorit që ishte me shërbim dhe më ka pyetur se:“A ke gjëra për të nxjerë se kanë ardhur gjëra nga takimi…? Mirë i thashë se: “…s’kam gjëra për të nxjerrë…”. Aty kam shkuar dhe kam folur në telefon me familjen me nënën dhe ajo më tha se: “…do vij pasnesër, nuk të kam dërguar asgjë me asnjë njeri…”. Erdhi polici përsëri që ishte Shpetimi i kontrollit të ushqimeve dhe më tha që të ka ardhur kjo qese. Unë e hapa qesen, ishin brenda tyre një qese me kumbulla dhe nje bidon i vogël uji, që kishte pak lëng frutash.
I mora në dorë fillimisht, pastaj tek një letër që ishte brenda me emrin “Ervis Daka”. Sa pashë emrin e atij personit i ktheva mbrapsht kumbullat, ku i thashë policit: “…pse m’i sollët…?” dhe m’u pergjigj se i kishte thënë Ervis Daka: “…çoja, do, s’do, ti jepja…”. Mbas kësaj bisede, i thashë të vinte shefi i policisë dhe ja thashë se përveç familjes mos pranonin gjëra që vijnë për mua dhe i shkruajti tek blloku i vet”, ka thënë Xhafer Deliu.
“Daka ishte në Dubai, erdhi në Shqipëri dhe na kërcënoi”
Xhafer Deliu ka dhënë dëshmi të gjatë në polici. Ai ka thënë se Ervis Daka ka qenë në Dubai dhe sapo ka ardhur në Shqipëri, i ka kërcënuar.
“Dua të shtoj se Ervis Daka, ka qenë në Dubai këto vite dhe sa erdhi më solli këtë mesazh me kumbulla brenda në burg. Ervisi është shok i Mikel Kamamit, shok fëmijërie, solli mesazhin që më ka dërguar Mikeli nga Dubai. Unë me Everest Cakën kam qenë shumë shok që në fëmijëri si dhe di që Everesti dhe Rubens Meçe kishin shoqëri. Tre ditë pasi të vritej Everesti më tha se kishte marrë lekë borxh 50000 Euro tek Rubensi dhe për këtë gjë në vijim kishte mësuar se Rubensi i kishte vrarë vëllain, Arben Spahiut në Belgjikë. Mbas kësaj e vranë dhe Everestin. Lidhur me këto fakte ne kemi dyshuar se Rubensi vrasjet i ka kryer për llogari të Hajdar Qoses dhe Mikel Kamamit.
Gjithashtu, dua të sqaroj kurthin që me ngritën mua kur më futën lëndë narkotike në shtëpi, ku unë isha duke qëndruar me fëmijët, pasi jam i divorcuar. Po kështu, histori kurthesh i kanë bërë edhe Arben Spahiut dhe të vëllait Rigers Spahiu që i kanë vendosur armë në banesë. Nuk i kemi provuar kumbullat, pra nuk i kemi konsumuar si ushqim asnjëri nga ne. Nuk kemi patur asnjë kërcënim tjetër gjatë kësaj kohe. Dua të theksoj se gjithë këto janë veprime qe ne mos t’i biem mbrapa të vërtetës për jetët e marra njerëzve tonë. Për të mbyllur gojën dhe mos kërkuar prova për të dalë e vërteta e vrasjeve. Çdo veprim i cili kryhet është menduar mirë nga hasmit tanë që përmenda më sipër…”, ka deklaruar Deliu.
Vrasja e Arjan Spahiut nga Rubens Meçe
Xhafer Deliu ka shpjeguar më me hollësi gjithçka, duke treguar sesi shkodrani Rubens Meçe ka vrarë Arben Spahiun.
“Lidhur me Ervis Dakën, unë nuk e njoh fare, por ky është shok me Mikel Kamamin, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Shqiptare dhe jeton aktualisht në Dubai. Ky person është hasëm me kushëririn tim Arben Spahiu, të cilit i është vrarë vëllai në Belgjikë, Arjan Spahiu. Së fundmi është zbuluar se vrasjen e Arjan Spahiut, sipas belgëve e ka kryer një person nga Shkodra, Rubens Meçe, aktualisht është në burg në Spanjë në Barcelonë. Lidhur me sendet që ka dërguar sot Ervis Daka, dyshoj se është një mesazh ose janë me përmbajtje helmuese për të më vrarë. Si mesazh kuptoj që: “…ha kumbulla në burgje dhe në fund do ikësh…", shtoi Deliu.
Deliu: Everest Cakën e vrau Meçe dhe një person me mbiemrin Murati
Xhafer Deliu pretendon se me këto kumbulla, hasmi ka dashur të japë mesazh ose të helmojë të gjithë personat, që dinë për ngjarjet, ku janë përfshirë rivalët.
“E gjithë kjo histori si shpjegova më sipër e bëjnë hasmit tonë, të cilët duan që të na vrasin dhe mos ngelet asnjë dëshmitar lidhur me ngjarjet që kanë kryer ndaj njerëzve tonë. Gjithashtu, mendoj se kjo lidhet edhe me vrasjen e Everest Cakës që është kushuri, djali i tezes së Arben Spahiut. Këtë ngjarje e ka kryer sërisht personi Rubens Meçe dhe me një person me mbiemrin Murati, i cili është i afërm i Admir Muratit”, tha Deliu.
Në lidhje me mesazhin kërcënues të përcjellë në burg nga Daka, me “dhuratën” e kumbullave, policia arrestoi Ervis Dakën. Ai u ndalua, 10 ditë pasi kishte dërguar kumbullat në burg./Zëri.ai/