
TIRANË- Mësuesja Majlinda Palushi, e cila u dhunua nga një nxënës me karrige, ka dhënë versionin e saj lidhur me ngjarjen. Në një intervistë që ka dhënë për emisionin "Me zemër të hapur", lidhur me incidentin që ndodhi në gjimnazin ‘Hydajet Lezha’, ka mohuar kategorikisht se i ka përmendur 17-vjeçarit babain e ndjerë. Por pranoi se ka përmendur të atin e saj, e më pas ka vijuar me shpjegimin e mësimit. Sipas saj, i "fryrë" nga nxënësit e tjerë, adoleshenti u çua dhe e qëlloi me karrige, duke i thyer klavikulën. Mësuesja tregoi se nxënësit kishin ulëritur kur kishin parë nxënësin, po shtoi se nga ai moment, ajo vetë nuk ka mbajtur mend asgjë. Për të gjithë situatën e krijuar, ajo bën me faj policen e shkollës, e cila sipas saj nuk i hapi telefonin kur e mori që t'i raportonte problemin që i kishte nisur me të miturin gjatë orës së mësimit.
PJESË NGA INTERVISTA:
Majlinda Palushi: Unë të atin nuk ia kam përmendur kurrë. Ia ka thënë edhe burri se unë nuk kam qenë në gjendje të flas, kam qenë me klavikul të thyer. Për momentin jam ashtu, me qetësues ende...Tani do rri 2 muaj, do bëj rikuperimin e klavikulës, do bëj fizioterapi. Po t'i kisha përmendur të atin do të kishte reaguar menjëherë, apo e frynë nxënësit e tjerë? Debati ka nisur me kushëririn e tij, që është në një klasë me të. Ai ka marrë telefonin dhe nga rreshti në rresht ka kaluar tek ai djali. I tregoi video dhe po qeshnin të gjithë. I thashë dil jashtë. I thashë dil jashtë se do të të vendos mungesë. Ai u çua të më shqyente fletoren. Nxorra telefonin të thërrisja policen e shkollës, ajo nuk më doli fare në telefon. As nuk e hapi. Nxënësit filluan të qeshnin, kryesisht kushëriri i tij. I thashë në rregull, nuk do të dalësh, le të vazhdojmë. Vazhdoi të bënte hilaritet, edhe unë iu ktheva. Në debat e sipër, kur më tha do kaloj edhe sivjet, bëra be që nuk e kisha bërë se sa më ka vdekur im atë. Se kam përmendur fare emrin e tij. Po të ishte për të reaguar do të reagonte në atë minutë. Kam shkuar në tabelë dhe po merresha me nxënësit që kisha në tabelë. Unë i thashë do të shihemi në fund po të bëj be eshtrat e atit. Pas 5 minutash kam dëgjuar nxënësit e tjerë duke ulërit, dhe kur u ktheva më ka rënë me karrige hekuri në sup. Do kisha rënë përtokë nëse s’do më kishte kapur nxënësi tjetër. Nga ai moment nuk mbaj mend gjë, më kanë çuar në spital. Aty më ka ardhur xhaxhai i tij dhe më ka kërkuar falje dhe të bëj deklaratë që e fal dhe ai të dalë nga burgu. E kam bërë në darkë… Xhaxhai i tij ka fol mashtrime më pas. Në asnjë video, në asnjë rast unë nuk kam përdorur dhunë, e vetmja fjalë që kam nxjerrë nga goja… mund të kem përdor fjalën ‘je kakareq i papjekur’, por jo ‘majmun’. Vajza që ka thënë se unë marr para, do ta denoncoj. Ti nuk e di presionin që ne kalojmë aty. Ah, po! Djalit të axhës së tij i kam thënë, je i pabesë, nuk ke pikë burrënie, sepse më tha që nuk do të bëjë zhurmë. Edhe tani që po flas, po flas kundër dëshirës së familjes time. Familja e djalit ka mundësi, unë nuk kam dhënë lekë tek gazetarët. Se kanë dalë kundër meje. E di unë marrëdhënien e kësaj...me familjen e djalit. Unë nuk jam lezhjane, jam e ardhur, kurse **** është nga një fshat me djalin dhe është e interesuar për ta mbrojtur atë fëmijë. Unë nuk i kam dhënë lekë dhe ajo po shfryn mllefin tek unë. Për të nxjerrë dëshmi në favorin tim kisha mundur edhe unë, por nuk kam nevojë. Nuk kam qenë në gjendje të flas. Kam ndjenjur gjithë natën në një kolltuk tek.
A mund të ishte shmangur ky moment?
Majlinda Palushi: Vetëm po të kishte ardhur policja. Ajo e ka pasur për detyrë që të vinte sapo të ndodhte një konflikt.
Aktualisht, i mituri, pasi kaloi disa ditë në burg, tashmë ndodhet në masën "arrest shtëpie", ndërsa për mësuesen nuk ka ende një vendim nga ana e stafit pedagogjik./Zëri.ai