
TIRANË- Sot është mbushur 1 vit nga sulmi ndaj Top Channel, me pasojë vdekjen e punonjësit të sigurisë, Pal Kola. Krismat e sulmit brutal u dëgjuan live teksa transmetohej edicioni i dytë i "Big Brother VIP". Ky dyshohet si një atentat i mirëorganizuar nga krimi, teksa autorët e përfshirë në këtë ngjarje dyshohet të kenë qenë tre persona. Pak minuta pas atentatit, Policia gjeti një makinë të djegur tip “Range Rover” në Golem të Kavajës, e cila dyshohet se u përkiste autorëve. Ndërkohë hetimet vijojnë akoma për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe po shqyrtohen tabulate telefonike. Gjithashtu një prove e rëndësishme është një mbetje biologjike në një gëzhojë ku është përftuar edhe një ADN, por ende nuk është identifikuar se kujt i përket.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot nga Kryeministria se po punohet për dokumentimin me prova të personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale dhe zbulimin e mekanizmit që ka porositur dhe ekzekutuar.
"Sulmi kundër Top Channel ka qenë e mbetet një akt i rëndë për të cilin prej momentit të parë Policia e Shtetit ka zhvilluar hetime. Ajo që mund të ndaj me ju brenda ruajtjes së sekretit hetimor është se gjatë javëve të fundit, hetimet kanë hyrë në fazë intensive. Ajo që po bën në këtë moment policia e shtetit në bashkëveprim me prokurorinë është dokumentimi me prova i personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale dhe zbulimi i mekanizmit që ka porositur dhe ekzekutuar këtë ngjarje të rëndë,”-u shpreh Balla.
Gjithashtu burime për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat i kanë bërë me dije se lidhur me ngjarjen po hetohen tabulatet telefonike që i kanë hapur një perspektivë të re hetimit.
"Është analizuar makina me të gjithë elementët e parametrat teknikë. Kjo analizë i ka shërbyer hetimit. Ndërkohë, një provë e rëndësishme është një mbetje biologjike në një gëzhojë ku është përftuar edhe një ADN, por ende nuk është identifikuar se kujt i përket. I jemi drejtuar databazave të Interpolit e policive të vendeve fqinje, por ende nuk është gjetur,”-njoftoi gazetarja.
Por një vit nga atentati ende nuk dihen autorët dhe porositësit. Në shtator të vitit 2023 u raportua se Amarildo Nikolli është një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj Top Channel. Gazetari Artan Hoxha në emisionin "Të Paekspozuarit" ,tha asakohe se një nga të përfshirët në sulm, ku mbeti i vrarë roja i objektit, Pal Kola, 60 vjeç, është kapur në Vlorë teksa po bëhej gati për një vrasje tjetër. I njohur me nofkën “Shkodrani”, Amarildo Nikolli dyshohet se është një vrasës me pagesë dhe kishte mbëritur në qytetit bregdetar për të kryer një vrasje në afërsi të komplesit “Oslo”, zonë kjo ku vepron grupi i Edison Harizajt, i njohur ndryshe si “Edison Faqedjeguri”, i cili u vra në nëntor të vitit 2018.
Kush është Amarildo Nikolli?
Amarildo Nikolli (Xhanej) është vetëm 35 vjeç, por përpara autoriteteve ka zbardhur ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë, Tiranë dhe Shkodër si dhe ka përmendur emra të njohur të botës së krimit që i janë futur këtij aktiviteti kur ai ndoshta ka qenë vetëm 10 vjeç. ZËRI ka mësuar nga burime pranë grupit të hetimit, se deklarimet e tij janë kyçe në zbardhjen e disa atentateve të bujshme të viteve 2020-2023. Emri i Nikollit u pjesë e kronikave në momentin që u kap me armë zjarri në Vlorë, në pikun e sezonit turistik të vitit 2023, në zonën e Ujit të Ftohtë.
Si ndodhi sulmi ndaj Top Channel
Një vit më parë në 27 Mars 2023, Top Channel u godit nga një sulm i pandodhur kurrë më parë në 32 vite ndaj një media. Pasojë e këtij sulmi, ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qënë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë ‘Öktapus’. Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel. Në brendësi të godinës gjatë kohës kur ndodhi ngjarje, ishin një pjesë e stafit që angazhohet si turni i tretë dhe të cilët kanë përjetuar momente tmerri përballë goditjeve pa pushim të armëve. Nga kqyrja në vendngjarje, Policia tha se autorët zbrazën një karikator arme "Ak – 47" gjatë goditjes së Top Channel, ngjarje e pandodhur kurrë më parë ndaj një institucioni mediatik./ZËRI