
ITALI-Një akt trimërie i jashtëzakonshëm ka lënë pa fjalë komunitetin e Gambassi Terme në Itali. Një i ri shqiptar, ka shpëtuar jetën e një djali të ri që po rrezikonte të binte nga kati i tretë i një ndërtese në qendër të qytetit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës së kaluar, dhe vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë dhe guximtare të 29-vjeçarit shqiptar, Jens Ballaqeni, u shmang një tragjedi e madhe.
Kryebashkiaku Sergio Marzocchi falenderoi 29-vjeçarin shqiptar, me një postim në rrjete sociale që u bë viral brenda pak orësh në emër të banorëve të Gambassi-t. Kryebashkiaku ndër të tjera, tha se komuna do të shqyrtojë mundësinë e dhënies së shtetësisë së nderit për shqiptarin.
Sipas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, shqiptari ndodhej në Gambassi për të kërkuar një vendbanim, kur nga një apartament që po vizitonte, vuri re një të ri në një pozicion të rrezikshëm në një ndërtesë përballë. Pa humbur kohë, ai ndërhyri dhe arriti ta kapte për këmbësh në ajër gjatë rënies, duke shmangur përplasjen fatale me tokën. I riu i shpëtuar ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shqiptari është shpallur hero lokal nga qytetarët dhe institucionet.
"Në një moment vështirësie ekstreme për një nga bashkëqytetarët tanë, ai demonstroi gatishmëri të jashtëzakonshme dhe vendosmëri të palëkundur. Duke rrezikuar sigurinë e tij, ai kreu një gjest heroik duke parandaluar një tragjedji. Një akt që jo vetëm shpëtoi një jetë, por ofroi edhe një shembull të gjallë të asaj që do të thotë të jesh hero në komunitetin tonë. Në emër të komunitetit të Gambassi Terme, e falënderojmë sinqerisht Jnes për heroizmin e tij. Sigurisht që do ta vlerësojmë mundësinë e dhënies së qytetarisë nderi, sa më shpejt të jetë e mundur. Veprimi i tij nuk ishte thjesht një gjest impulsiv, por një akt humanizmi të thellë që meriton njohjen më të lartë. Dhe do të mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive si një simbol shprese dhe përkushtimi ndaj të tjerëve,"-u shpreh Marzocchi.