TIRANË- I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani vijon rrëfimin e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancën e mbajtur sot, Dumani ka treguar për marrëveshjen e bashkëpunimit që ka arritur me prokurorët e SPAK. I penduari i drejtësisë shprehet se ka qenë ai vetë që ka pranuar të dëshmojë. Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me Talo Çelën. Më tej, Dumani shprehet se ata janë takuar për herë të fundit në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 në shtëpinë e tij. Pas kësaj, ai shprehet se nuk janë takuar më.
Avokati: Kur e ke takuar Talon për herë të fundit?
Dumani: Ngeli puna e kunatit të Mir Haxhisë pa u bërë.
Avokati: Keni thënë që Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë dhe ishte interesuar për vrasjen e kushëririt të vet, vëllait të Alibeajt dhe Dylgjerit dhe se i bënte karshillëk Kel Kamamit.
Dumani: Po, i shkonte Kel Kamamit paralel me makinë.
Avokati: Kur i ke shkëputur marrëdhëniet me Talon?
Dumani: Takimi i fundit ka ardhur ai tek shtëpia ime. Fund 19 fillim 20. Ne kishim debatuar shumë me të.
Avokati: Kur jeni shkruar për herë të fundit?
Dumani: Me Sky, në verë 2010.
Në pyetjet e avokatit të Fatos Gosës, Nuredin Dumani ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë presion për të bashkëpunuar me SPAK-un, duke theksuar se ishte momenti i duhur për të treguar gjithçka dhe për të kontribuar në zbardhjen e krimeve.
“Nuk më ka bërë njëri presion për te bërë marrëveshjen me prokurorinë. Unë kam tregu, prokuroria nuk më ka premtuar gjë. Nuk kam çfarë marr në këmbim,”-shtoi ai./ZËRI