Aktualitet

Nga “Shqiponjat” në Kurbin, Shkëlzen Metushi dërgohet për të hequr ‘njollën’ e ish-shefit

Metushi ka mbajtur për disa vite postin e shefit të repartit të Shqiponjave, dhe tashmë i është besuar komisariati i Kurbinit

E.K
Nga “Shqiponjat” në Kurbin, Shkëlzen Metushi dërgohet
Shkelzen Metushi

KURBIN- Shkëlzen Metushi është emëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si drejtues në komisariatin e policisë në Kurbin. Emërimi vjen pas arrestimit të shefit të mëparshëm të këtij komisariati Dritan Meta, për lidhje me persona me rekorde kriminale. Metushi ka mbajtur për disa vite postin e shefit të repartit të Shqiponjave, dhe tashmë i është besuar komisariati i Kurbinit. Prezantimi i tij përpara efektivëve të komisariatit të Kurbinit pritet që të bëhet gjatë ditës së sotme.

Detyra e tij është padyshim e vështirë për të hequr njollën e lënë nga paraardhësi Meta, se punonjësit e komisariatit të Kurbinit bashkëpunojnë me krimin. Taulant Balla fillimisht dhe më pas Muhamet Rrumbullaku kanë premtuar luftë pa kompromis ndaj çdo efektivi të policisë që ka lidhje me krimin, duke njollosur uniformën e policisë.

Çfarë ndodhi me ish-shefin Meta?

Vetë ish-shefi i arrestuar i komisariatit të Kurbinit, Dritan Meta, e ka pranuar njohjen dhe shoqërimin e tij me të shpallurin në kërkim, Gëzim Çela. “Kam bërë gabim por e kam bërë pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot,”-mësohet se është shprehur ai dje në sallën e gjyqit.

Emri i tij doli pasi SPAK përgjoi anëtarët e grupit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, u zbuluan edhe komunikimet që Meta kishte me të ashtuquajturin "Baroni i Fushë Kuqes", Gëzim Çela dhe 2 persona të tjerë. Me të tre, Meta kishte biseda në celular, e po ashtu i kishte lëvizur me makinën e tij për t'u garantuar siguri. Pasi është sekuestruar, në telefonin e Dritan Metës janë gjetur biseda të hollësishme për transportimin e "baronit", në mënyrë që të mos pragosej nga Policia. 

Kush është i shumëkërkuar Gëzim Çelaj?

Gëzim Çelaj u akuzua për trafik ndërkombëtar droge në vitin 2015. Ai dyshohej si kreu një grupi të strukturuar që trafikonte lëndë narkotike që mbërrinte prej Turqisë përmes Bullgarisë drejt Shqipërisë e Kosovës dhe më pas me destinacion përfundimtar vendet e Evropës Perëndimore. Në vitin 2020 Çelaj ishte një prej subjekteve të Operacionit Forca e Ligjit, OFL, që kishte si qëllim goditjen e krimit të organizuar përmes sekuestrimit të pasurive./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB