TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Shpëtim Aliut në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Rreth një javë më parë Interpol Moska ka njoftuar Interpol Tiranën, se kishte ndaluar një person shqiptar i lançuar në sistem me "pullë të kuqe" për “trafik droge” dhe “organizatë kriminale”.
Mësohet se Shpëtim Aliu, pas problemeve që pati me drejtësinë shqiptare në muajin qershor 2026 është larguar nga Dubai në drejtim të Moskës në Rusi, me shpresën për t'i shpëtuar një arrestimi të mundshëm nga autoritetet e Dubait dhe ekstradimit më pas në Shqipëri, siç ka ndodhur me rastet e tjera.
Aliu ka shfrytëzuar këtë lëvizje për shkak të lidhjeve që ka pasur me një shtetase Ruse, më të cilën edhe është martuar. Ai kishte vendosur të jetonte në këtë shtet përmes kamoflimit dhe strehimit nën petkun e gruas, shkruan gazetari Elton Qyno.
Pikërisht identifikimi i kësaj gruaje, ka sjellë më pas dhe zbulimin e vendodhjes së bashkëshortit të saj, Salvatore alias Shpëtim Aliu, i cili është kapur nga policia Ruse. Pas kapjes së tij në Rusi, tashmë Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar letërporosi përmes ministrisë së Jashtme në Federatën Ruse, me qëllim ekstradimin e Aliut në Shqipëri.
Aliu u shpall në kërkim nga SPAK pas aksionit të 16 qershorit, ku u godit grupi i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim parash. Aliu akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në komunikimet e Sky ECC ai shfaqet me disa nofka: “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”. Aliu, sipas dosjes hetimore të siguruar nga ZËRI dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Salvadore Aliu, dyshohet se ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu.

