
GREQI- Policia greke ka vënë në pranga të kërkuarin nga Interpol Tirana, Adriatik Xhini, 32 vjeç nga Ksamili. Sipas policisë greke, Xhini kërkohej në Shqipëri për veprën penale të “prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike”, për ngjarje të ndodhura në periudhën 1 prill 2019 – 23 prill 2020.
Në 1 prill 2019, ai u shpall në kërkim nga policia e Sarandës pas sekuestrimit të një çante me 22 kg marijuanë në kufirin shqiptaro-grek, në vendin e quajtur “Likojani” në Konispol. Gjatë atij operacioni u arrestuan dy transportues nga Berzhita e Tiranës dhe Polisi i Librazhdit, ndërsa u shpall në kërkim Xhini dhe shtetasi D. A.
Xhini rezulton të jetë arrestuar edhe në vitin 2018 nga policia e Sarandës në kuadër të operacionit “Transferimi” ku ranë në pranga 4 persona pas gjetjes së 7 dozave kokainë dhe dyshimeve se ky grup kishte lidhje me një sasi prej 18 kg marijuane të gjetur në Ksamil, por ishte liruar më pas nga Gjykata e Sarandës.
Gjithashtu edhe ne vitin 2012 ai rezulton i arrestuar, pasi ishte ne kerkim, serish per nje plagosje te kryer ne Ksamil.Policia greke ka nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri./ZËRI