
GREQI- Është zbardhur atentati ndaj 34-vjeçarit shqiptar, Renis Fejzolli, që u qëllua me 3 plumba në orët e para të mëngjesit më 2 shkurt, në Athinë. Për ngjarjen policia greke ka shpallur në kërkim Marios Tralo, 20 vjeç nga Durrësi, Anastasios Dushku, 18 vjeç dhe Dhimitrios Zisis, 20 vjeç.
Polica greke ka njoftuar se ka qenë Tralo ai që ka shtënë me armë zjarri ndaj Fejzollit dhe pas ngjarjes është arratisur në Shqipëri e më pas në Angli, pasi kishte mosmarrëveshje personale dhe financiare me 34-vjeçarin. Ai mësohet se i është afruar 34-vjeçarit teksa ky drejtonte automjetin dhe e ka qëlluar vazhdimisht me armë. Më pas, autorët janë larguar ndërsa 34-vjeçari ka takuar një makinë patrulle policie dhe pasi efektivët e policisë i kanë dhënë ndihmën e parë, e kanë dërguar në spital, ku i është dhënë mjekimi.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se pas ngjarjes Tralo është larguar drejt Shqipërisë e më pas drejt Anglisë. Marios Tralo rezulton me precedentë penalë për “drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme”, “fyerje”, “dëmtim pasurie”, “shkelje të ligjit mbi armët”, “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” dhe “shkelje të kodit të qarkullimit rrugor”. Zisis rezulton me precedentë për “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” ndërsa Dushku për “dëmtim pasurie”.
Si ndodhi ngjarja?
Ekzekutimi ka ndodhur pak para orës 04:00 të mëngjesit të 2 shkurtit ndaj 34-vjeçarit Renis Fejzolli, i cili ndodhej në një park lokal në rrugën Sidirokastro. Teksa Fejzolli e priste Tralon në parkun ku ndodhi ngjarja, ky i fundit është shfaqur me një automjet “Toyota Yaris” dhe pasi ka hapur xhamin, ka shtënë me armë drejt tij. Bashkë më Tralon në automjet kanë qenë edhe Dushku e Zisis. Pas të shtënave, viktima ka mbërritur me makinën e tij në cep të rrugës Iera Odos dhe Spyrou Patsi, ku ka kërkuar ndihmë nga policët, që ishin në makinë patrullimi. Sipas informacioneve, autorët kanë qenë mbi një mjet, me të cilin i janë afruar 34-vjeçarit, para se ta qëllojnë tre herë./ZËRI