
TIRANË- Katër prokurorë të tjerë kanë vendosur të aplikojnë për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Bëhet fjalë për prokurorët: Pali Deçolli, Bledar Maksuti, Anita Jella dhe Ndini Tavani. Deçolli është Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Durrës që kaloi Vettingun me trupën e përbërë nga Olsi Komici, Firdes Shuli dhe Xhensila Pine. Pali Deçolli është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe e ka ushtruar funksionin për gati një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Durrës. Ai ka qenë gjithashtu si drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Fier.
Ndërsa Bledar Maksuti ishte shkarkuar nga detyrë nga KPK me pretendimin se nuk arrinte të provonte të ardhurat dhe asetet e krijuara nga babai i tij i ndjerë, por u rikthye në detyrë nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo. Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.
Anita Jella e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit. Ndërsa, Prokurori Ndini Tavani u rikthye në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në mënyrë unanime, duke e rrëzuar vendimin e shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të marrë me shumicë. Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.
Deçolli, Maksuti, Jella dhe Tavani do të jenë në garë përballë katër kandidatëve të tjerë, Albert Kuliçi, Sonila Muhametaj, Olsi Dado dhe Kreshnik Ajazi.
Sot përfundon dhe afati zyrtar për dorëzimin e aplikimeve. Të premten aplikoi prokurorja Sonila Muhametaj. Kandidaturën e parë e ka dorëzuar prokurori Albert Kuliçi, pas tij prokurori Olsi Dado dhe Kreshnik Ajazi. Albert Kuliçi ka qenë prokuror në Vlorë, ndërsa aktualisht është prokuror në Tiranë. Në vitin 2019 Kuliçit iu vendos eksploziv në makinë. Në atë kohë ai hetonte tjetërsimin e pronave në Karaburun e Zvërnec.
Olsi Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 u komandua në Prokurorinë e Përgjithshme si ndihmës magjistrat, transferim që u ndërpre më 6 mars, për të filluar një komandim të ri në SPAK.
Kreshnik Ajazi është drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit, dhe së fundi ka pasur në dorë dosjen ‘Never Forget” që çoi në pranga 12 persona, pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili zbardhi 6 vrasje që dyshohet se janë kryer nga grupi i Laert Haxhiut. Muhametaj ka qenë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që tashmë synon një vend në Prokurorinë e Posaçme./Zëri.ai