
TIRANË- Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit Rajmona Dashi është lënë në masën e arrestit të shtëpisë nga GJKKO, pas akuzave ndaj saj se ka ndihmuar në pastrimin e parave të dy vëllezrve shqiptarë që trafikonin drogë në Belgjikë.
Sipas SPAK, Dashi kishte marrë përsipër që të "pastronte" paratë e dy vëllezërve, Leonard dhe Besian Ramaj. Bashkë me të në pranga përfundoi dhe biznesmeni Ardian Malasi.
Të dy së bashku kishin marrë përsipër që të "pastronin paratë" me një grup kriminal që aktivitetin e ka pasur jashtë shtetit, më konkretisht në Belgjikë. Hetimi i nisur nga SPAK ka ardhur pas një letërporosie të mbërritur nga Belgjika që u lidhi fijet me ish-drejtuesen e komanduar të Kadastrës Durrës, Rajmonda Dashin, dhe bizesmenin.
Por si funksiononte skema?
Dy vëllezërit kanë transferuar pasuri në vendin tonë, me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme sesi i kanë përfituar këto të ardhura, duke i investuar në pasuri të paluajtshme. Kështu kanë mundur që të "fshehin" dhjetra apartamente të ndara në Fier dhe në Tiranë, e po ashtu plot 27 llogari bankare. Gjithsej është bërë sekuestrimi i 49 pasurive në total, dhe në veçanti 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe Tiranë, 27 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare dhe 2 makina. Por hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera.
Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës. Në dhjetor 2021, ajo dha dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i komanduar në Durrës, pas kërkesës për t’u larguar nga drejtuesi i asaj kohë i Kadastrës, Artan Lame. Arsyet për largimin e saj nuk u shpjeguan kurrë për publikun as nga Lame dhe as nga vetë Dashi.
/Zëri.ai