
TIRANË-Ndërhyrjet në burgun e Spaçit në kuadër të projektit të një filmit që ka nisur që të zhvillohet në ambientet e ish-burgut janë ndërprerë! Pas nënshkrimit të peticionit me 749 firmëtarë, adresuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, punimet për rikonstruksionin e godinës janë pezulluar deri në një momente të dytë.
Nga fillimi i ndërhyrjes në godinë, aktivistët kanë ngritur zërin kundër projektit të filmit që ka nisur që të zhvillohet në ambientet e ish-burgut të Spaçit. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe nënshkrues të këtij peticioni shprehen përmes një postimi se ky pezullim është një hap i rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por mbetet vetëm një ndalesë e përkohshme, shkruan shqiptarja.
Ata bëjnë me dije do të vijojnë me vendosmëri të kërkojnë ndalimin përfundimtar të punimeve, si dhe shndërrimin e Burgut të Spaçit në një memorial kombëtar të krimeve të komunizmit, një vend nderimi, reflektimi dhe edukimi, që i përket kujtesës kolektive dhe jo ndërhyrjeve të paplanifikuara.
Dokumenti:
Në vijim të kërkesës për informacion, datë 11.06.2025, administruar në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) me Nr. 1115 Prot., datë 12.06.2025, në lidhje me ndërhyrjet në objektet e ish "Burgut të Spaçit". Ju informojmë se:
Bazuar në Ligjin Nr. 27/2018 "Per Trashëgiminë Kulturore dhe Muzete", VKM nr. 1125/2020 "Per miratimin e rregullave të projektimit, zbatimit të punimeve të nderhyrjeve ruajtese e mbrojtëse në pasurite kulturore materiale, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të tyre", si dhe në vijim të inspektimit në terren me qëllim verifikimin e punimeve në datë 02.06.2025, punimet janë pezulluar deri në një moment të dytë, me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës dhe kryerjen e procedurave të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,
DREJTOR PËRGJITHSHËM Joli MITROJORGJI

Shoqata anti-komuniste e ish-të përndjekurve politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan protesta në ambientet e ish-burgut, duke u shprehur se rikonstruktimet që po bëhen për të xhiruar filmin, por ndërhyjnë në godinë duke fshirë historinë që mbart.
Ndërhyrjet restauruese që kanë nisur në Burgun e Spaçit nën mbikëqyrjen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore kanë nxitur një debat lidhur me ruajtjen e autenticitetit të kampit. Edhe pse projekti parashikon ndërhyrjen në tetë pika të ndryshme, përfshirë riparim e plotësim të mureve, vendosje portash e parmakësh apo ndërhyrje për rrethimin, kritikët shprehen se kështu preket historia që mbart kampi, ndër më mizorët e regjimit komunist në Shqipëri./ZËRI