Aktualitet

Organizatat për lirinë e medias mbështesin aktivisten Flutura Kusari

Pas një fushate 3-vjeçare ngacmimesh dhe fyerjesh online, juristja e lirisë së medias, Flutura Kusari ka nisur një betejë ligjore ndaj Mentor Llugaliut – një mbështetës i Vetëvendosjes. Organizatat ndërkombëtare kërkojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të rastit.

Redaksia Zëri
Organizatat për lirinë e medias mbështesin aktivisten Flutura
Flutura Kusari

PRISHTINË- Flutura Kusari, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), bëri të ditur të premten se kishte nisur një përballje ligjore ndaj Mentor Llugaliut pas ngacmimeve të vijueshme online ndaj saj, të nxitura nga puna e saj në monitorimin e zgjedhjes së bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ku Llugaliu kandidoi për t’u bërë anëtar. Organizatat për lirinë e medias, pjesë e Media Freedom Rapid Response dhe Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, u pozicionuan në mbështetje të Kusarit dhe betejës ligjore të nisur prej saj me anë të një deklarate të përbashkët të publikuar të premten.

“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë dhe garantojë hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të plotë të këtij rasti,”-thuhet në deklaratë, ku kërkohet nga prokurorët e çështjes që të “garantojnë një hetim të shpejtë dhe të paanshëm të këtij rasti”.

Si një rast thelbësor në luftën kundër ngacmimit online ndaj mbrojtësve të fjalës së lirë, sidomos atyre gra, ne organizatat ndërkombëtare që e kemi nënshkruar këtë letër do të monitorojmë nga afër këtë rast. Shpresojmë që kallëzimi penal do të çojë në një rezultat që do të shënojë një hap të rëndësishëm në luftën kundër abuzimit online të grave,”- theksohet në deklaratën e përbashkët të organizatave.

Ngacmimet nëpërmjet profileve publike në rrjete sociale të Llugaliut kanë nisur që në vitin 2021, kohë kur Kusari, në emër të ECPMF-së, kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Transmetuesit Publik të Kosovës, RTK, nga Kuvendi i Kosovës, duke mbështetur dhe avokuar për përzgjedhjen e anëtarëve të pavarur politikisht.

Llugaliu, i cili njihet si mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në Kosovë, kandidonte për anëtar bordi në atë kohë, por kandidatura e tij nuk fitoi. Por, edhe pse Kusari nuk e ka përmendur ndonjëherë të paditurin Llugaliu me emër, në bazë të postimeve të tij, ai e fajëson atë për dështimin e tij që të bëhej anëtar i bordit.

Ngacmimi i tij ndaj Kusarit ka zgjatur për tre vjet dhe gjatë kësaj periudhe në llogarinë e tij në Facebook janë publikuar të paktën 101 postime, të cilat tërhoqën vëmendje të gjerë publike, duke mbledhur mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente.

“Për tre vite kam hezituar të ushtroj kallëzim penal, sepse vepra penale e ngacmimit është e re dhe sepse jam frikësuar që kallëzimi penal do ta nxisë të pandehurin Llugaliu që të më ngacmojë edhe më shumë. Kam vendosur të filloj procedurën penale kundër tij, pasi ai filloi të targetojë nënën dhe bashkëshortin tim. Ata nuk duhet të pagujnë çmim për aktivizmin tim,” shkroi Kusari në një postim të premten në profilin e saj në Facebook.

Organizatat konstatojnë se shumë nga postimet e Llugaliut janë poshtëruese dhe nxitëse, duke e targetuar vazhdimisht Kusarin dhe duke e akuzuar për ndikim në vendime politike dhe se postimet janë të shoqëruara me gjuhë denigruese ndaj saj, duke shkaktuar shqetësim të thellë për Kusarin dhe familjen e saj.

Ngacmimi është përshkallëzuar më tej kur ai filloi të shënjestrojë anëtarët e familjes së saj, përfshirë bashkëshortin dhe nënën e saj, me një koment veçanërisht shqetësues me përmbajtje të natyrës seksuale. Në mars të këtij viti, Kusari ka ushtruar pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë kallëzim penal kundër të pandehurit Mentor Llugaliu, duke e akuzuar atë për ngacmim dhe frikësim sistematik ndaj saj dhe familjes së saj. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) që e ka ndihmuar Kusarin për përgatitjen e kallëzimit penal kundër të pandehurit Llugaliu e cilëson këtë një vepër penale dhe një nga rastet më të rënda dhe më të mëdha të ngacmimit online ndaj një aktivisteje grua në Kosovë.

Organizatat nënshkruese të letrës mbështetëse:

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF)

Free Press Unlimited (FPU)

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

ARTICLE 19 Europe

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)

PEN International

Index on Censorship

Reporterët pa Kufij (RSF)

Shoqata e Gazetarëve Evropianë (AEJ)

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ)

Justice for Journalists Foundation/BIRN

Poll

MOS HUMB