Aktualitet

“Na ndoqi nga Rinasi”, detaje nga aksidenti: Garda mori djalin e gjyqtares Gjoka, polici s'iu bind thirrjeve

Ka pasur një hezitim fillimisht nga ana e policisë rrugore për të raportuar se në makinën e gardës ndodhej djali i gjyqtares Irena Gjoka

E.K
“Na ndoqi nga Rinasi”, detaje nga aksidenti: Garda mori djalin e
Irena Gjoka dhe makina e aksidentuar

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u përplas makina që udhëtonte djali i gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, nga një mjet që drejtohej nga një efektiv policie.

Burime bëjnë me dije për Zërin se efektivi që u përfshi në aksident Izidor Heta, shërbente pranë policisë rrugore, ndërsa në momentin e aksidentit drejtonte një mjet me targa zviceriane. Fillimisht policia nuk raportoi se në makinën e përplasur udhëtonin familjarë të Gjokës, dhe vetëm përmes dëshmisë së gardistëve, u mësua dhe itenerari i përshkruar nga mjetet.

Në dëshminë e gardistëve thuhet se mjeti që drejtohej nga polici i rrugore, ka përshkruar të njëjtën rrugë me ta nga Rinasi në zonën e Selitës dhe ku ndodhi aksidenti. Edhe pse ata i kanë kërkuar që të ndalte manovrat, polici nuk është bindur.

“Udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë, i kemi bërë thirrje që të ndalte manovrat”, ka qenë dëshmia e gardistëve, ndërkohë që pritet të kontrollohen të gjitha kamerat e sigurisë në rrugën që është përshkruar nga mjetet, për të kuptuar më shumë mbi dinamikën e aksidentit.

Vetë punonjësi i policisë Heta, që u përfshi në aksidentin me eskortën e gjyqtares Gjoka është shprehur se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të lagështirës në rrugë.

“Kishte shumë lagështirë në rrugë dhe humba kontrollin”, mësohet të jetë shprehur polici.

Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje. Mësohet se për hetimin e këtij aksidenti janë angazhuar dhe agjentë të SHISH, ndërkohë që nga vetë Irena Gjoka deri në momentet që flasim nuk ka pasur një reagim.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike në javët e fundit, për shkak të akuzave të vazhdueshme që Sali Berisha ka bërë në drejtimin e saj. Gjoka është gjyqtarja që firmosi arrestimin e Jamarbër Malltezit në datën 21 Tetor, si dhe masën e sigurisë së detyrimit të paraqitjes për Sali Berishën. Pas këtyre zhvillimeve Garda e Republikës shtoi masat e sigurisë ndaj gjyqtares dhe familjes së saj. /ZËRI  

Poll

MOS HUMB