TIRANË- Aksidentohet mjeti me të cilin lëvizte familja e Irena Gjokës. ZËRI ka mësuar se mjeti që u përfshi në aksident këtë mbrëmje në zonën e Selitës në Tiranë po eskortonte familjen e kryetares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka.
Burime nga ZËRI bëjnë me dije makina e Policisë së Shtetit u përplas me mjetin që po eskortonte famikjen e gjyqtares. Në dëshminë e dhënë lidhur me aksidentin, polici nga Elbasani (ende i paidenfitikuar) është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut.
Paraprakisht djali i gjyqtares ka bërë me dije se shoferi që shkaktoi aksidentin po udhëtonte me shpejtësi të lartë. Sipas tij, edhe pse i kishin bërë me shenjë që të mos parakalonte, polici kreu manovër të gabuar.
“I bëmë me shenjë që të mos futej në grupin e eskortës, por nuk ndodhi. Ishte e pamundur."
Edhe pse paraprakisht dyshohet se e gjithë ngjarja është një aksident rrugor, hetimet nga ana e Policisë së Shtetit kanë nisur. Kjo pasi gjyqtarja Irena Gjoka është sulmuar publikisht nga kryedemokrati Sali Berisha.
Gjoka është gjyqtarja që po gjykon dosjen e kryedemokratit Berisha. Aktualisht ish-kryeministri është nën hetim nga GJKKO për korrupsion pasiv, pasi përmes akteve ligjore ka favorizuar dhëndrin e tij për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ndaj Berishës, SPAK ka kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg”, por vendimi do të merret nga Irena Gjoka më 26 dhjetor. /ZËRI