
TIRANË- Bledar Spahiu, babai i 3-vjeçarit që vdiq pas ndërhyrjes në klinikën Splendent, ka hedhur akuza në drejtim të prokurores së çështjes Alma Felaj, që sipas tij ka tentuar që të fshehë provat. Spahiu ka zbuluar takimin që ka pasur dje me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, ku i kanë dorëzuar dokumentet që klinika e Ina Xhaxhos ka qenë pa licensë, e megjithatë prokurorja Felaj nuk ka marrë asnjë masë ndaj tyre. Spahiu pretendon se akti i ekspertimit që vërtetonte se Splendent vepronte pa licensë, i është fshehur për 12 ditë familjarëve.
“Me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës kemi folur në lidhje me prokuroren e çështjes Alma Felaj, ajo duhej të tërhiqej nga kjo çështje se nuk është e aftë ti japë zgjidhej çështjes. Me gjithë këto fakte që kanë dalë ajo nuk ka vepruar ndërkohë që më datë 6 tetor ka bërë kontrollin tek klinika 'Splendent' e Xhaxhos dhe në dijeninë time kjo klinikë ka qenë pa licencë. Sot e kësaj dite ajo klinikë vepron, mbush dhëmbët e njerëzve që nuk e kanë marrë vesh se çfarë ka ndodhur në atë klinikë.
Unë i kam marrë informacionet vetë. Nga prokurorja s'kam marrë asnjë informacion, as aktin e ekspertimin ajo donte ta fshihte. Unë e kam marr vesh nga mediat, 11 ditë më ka mbajtur pezull nuk më ka treguar”, tha ai për Report Tv.


Ndërkohë, familja e vogëlushit është kundër një ekspertize të dytë për arsyet e vdekjes së tij.
“Prokurorja kërkon të deformojë çështjen, do ta vonojë e të prishë sa më shumë prova. Ekspertët mjekoligjorë shqiptarë e kanë bërë shumë saktë. Kur ajo nuk pranon ekspertët shqiptarë si mund të pranoj unë ekspertizën e një shteti të huaj? Ajo nuk pranon vendimin e një institucion shtetëror. Ata ekspertët janë grup, nuk është 1 apo 2 mjekë. Ajo do të prishë provat”, u shpreh më tej Spahiu./ZËRI