
TIRANË- Masakra e Cërrikut e vitit 1997, ku u vranë 6 efektivë të Gardës së Republikës dhe u rrezikua jeta e 16 të tjerëve do të rigjykohet në Gjykatën e Lartë. Lajmi është bërë me dije nga gazetarja Anila Hoxha. Të akuzuar për ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik janë: Bujar Buzanin, Roland Xhepexhiun, Entel Gashin, Tomor Buzanin, Skënder Canon, Alban dhe Arjan Toskën, Met Bozin dhe Llazar Bicjan. Dosja në ngarkim të tyre ka kaluar një odise të gjatë në shkallët e drejtësisë dhe është rigjykuar disa here për shkelje procedurale. Tashmë Gjykata e Lartë e kthen dhe njëherë dosjen për rigjykim.
Masakra e Cërrikut
Sulmi ndaj forcave të rendit u regjistrua më 23 maj të vitit 1997. Autokolona me gardistë u nis drejt Cërrikut pas thirrjeve për përforcime nga Policia. Me të mbërritur në hyrje të Cërrikut ata panë një makinë policie teksa digjej ndërsa ndaj tyre u hap një sulm i fuqishëm me armë zjarr dhe antitank.
Të gjendur në situatë të tillë ata zbritën nga makina, por me të vënë këmbën në tokë Besnik Sula, Sali Martini, Petrit Ndoi u ekzekutuan menjëherë. Ndërsa Halit Haxhia dhe Bashkim Mnella u dogjën në mjet. Efektivi i gjashtë i gardës Qemal Mehmeti arriti të largohet nga vatra e zjarrit, por ai u ndoq këmba këmbës dhe u qëllua për vdekje.
Më herët gjykatat kishin vënë në pikëpyetje hetimet e kryera ndaj të akuzuarve, bazuar në dëshmitë mes tyre edhe të ish-kryetares së bashkisë Cërrik shtetases Mishelina Xhela, e cila ka deklaruar se njëri prej tyre Llazar Bicja bashkë me përfaqësues të forcave politike të kanë qenë në zyrën e saj gjatë kohës që ka ndodhur masakra./ZËRI