
TIRANË- Rastet e ngacmimit seksual janë një nga problemet e shoqërisë sonë. Një grup aktivistësh fotografuan dje rrugicat e lagjes “Ali Demi”, si dëshmi e kufizimit, që u vendosin gjysmës së popullsisë së qytetit. Nisma e titulluar “Më shkruaj kur të arrish në shtëpi“, u ndërmor për të dokumentuar pasigurinë e vajzave dhe grave gjatë orëve të vona të natës.
Të pandriçuara dhe të lëna krejtësisht pas dore, gratë dhe vajzat nuk ndihen të sigurta të ecin vetëm në rrugët periferike të Tiranës. Gjatë eksplorimit të zonës, përveç ndriçimit, shumica e rrugicave, nuk janë të pajisura me kamera. Ë

“Sa e lirë, sa e mbrojtur dhe sa vulnerabël mund të ndihet një grua natën? Secila prej nesh në një moment e ka përjetuar një lloj frike sidomos pas orëve të vona. Ecja dhe fotografimi u ndërmor nga grupimi i “Photowalk“ së bashku me Kolektivin Feminsit. Ky aktivitet paraprin “Tetë Marsin“, duke u lidhur dhe me moton kryesor të protestës të këtij viti “Nata është e jona“,-tha Ebi Spahiu, aktiviste e Kolektivit Feminist, shkruan citizens.
Enriko Peçuli theksoi se përveç ndriçimit, shumica e rrugicave, nuk janë të pajisura me kamera. Për më tëpër Peçuli shtoi se menjëherë sipër lagjes që u krye vëzhgimi, pra sipër “Ali Demit“, je shumë afër “Qytet Studentit“ (QS) dhe aty janë të vendosura godinat e QS.

“Lagjet më afër qendrës ke kamera kudo, ke lokale, ke njerëz, ke aktivitet, këtu ende s’ka arrit aktiviteti, ka shtëpi private dhe është lagje shumë e pa monitoruar. Një pjesë e mirë e studenteve vijnë nga periferia, janë të pasigurta, vijnë në një qytet të madh, rrugët nuk i dinë. Kur qyteti është i panjohur për ty çdo gjë është më e frikshme“- analizoi ai.
Ebi Saphiu shprehet se shumicën e rasteve, njerëzit që rrinin në baret e lagjes, apo që rrinë në cepa rrugës natën, janë kryesisht burra. Sipas saj gratë janë të padukshme në hapësirën publike natën.

"Gratë janë prezente në disa rrethana si p.sh. për të bërë pazarin, ose me fëmijët, ose kanë rolin e edukatorit, apo përkujdesjes, kurse burrat janë ata që bëjnë muhabet me njëri – tjetrin, shkojnë kalceto. Burrat kanë jo vetëm akses të hapësirave, por edhe të kohës së lirë të tyre, gjë që gratë në Shqipëri nuk e kanë“- analizon Spahiu.
Duket se frikën për të lëvizur vetëm natën në rrugicat e Tiranës, e ndjejnë edhe djemtë dhe burrat.
“Kur kthehesha vonë, që dilja me shoqërinë, ka pas momente që ndjeja pak frikë në thonjëza. Kur nuk ke një rrugë alternative për të marrë, e ke gjithsesi atë pasigurinë se çfarë mund të hasesh, ose personat që mund të përballesh“- përfundon Andi Metaliaj.