
TIRANË- Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për kardiologun Edvin Prifti. Mjeku është paraqitur në GJKKO por në mungesë të avokatit Henrik Ligori, seanca nuk mund të zhvillohej.
Prifti akuzohet për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Arrestimi i Edvin Priftit
Edvin Prifti u arrestua, më pas u lirua, por nuk është kthyer ende në detyrë. Madje së fundmi i është hapur edhe një dosje e re. Prifti është kallëzuar nga një person që pretendon se i ka lënë nënën të vdesë dhe nuk i ka dhënë mjekimin e nevojshëm pasi nuk ka marrë paratë që ka kërkuar. Emri i Priftit doli dhe në aksionin për goditjen e grupit të trafikut të medikamenteve, si dhe akuzohet për përfshirje në tenderin e QSUT. Mes mjekëve, emrat deri më tani u kanë dalë Edvin Priftit, Aurel Vulës, Ilir Broqajt dhe Vladimir Peto. Biznesmenët nën hetim janë Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj./ZËRI