Aktualitet

"Riciklohet" sërish Ardi Veliu, pas largimit nga AMP i besohet një tjetër detyrë shtetërore

Posti i tij ka mbetur bosh, por për momentin e ka zënë zëvendësi i tij, Dritan Dorda.

k.m.
"Riciklohet" sërish Ardi Veliu, pas largimit nga AMP i besohet
Ardi Veliu

TIRANË- Ministria e Brendshme ka konfirmuar largimin e Ardi Veliut nga posti i Drejtorit të Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore. Lajmin e dha pak ditë më parë "Zëri.ai", por e konfirmoi vetë sot edhe Veliu. Ndërkohë që posti i tij ka mbetur bosh, por për momentin e ka zënë zëvendësi i tij, Dritan Dorda.

Por pavarësisht akuzave dhe dyshimeve për implikim të Veliut me grupet kriminale, në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se ai tashmë do të marrë një detyrë të re shtetërore, e cila nuk është zbuluar ende. Situata duket një "dejavu" e ngjashme me largimin e tij nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku më pas u emëruar zëvendësministër i Energjitikës.

E më pas, nga aty kaloi në AMP.

Njoftim për Mediat:

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu ka paraqitur sot dorëheqjen nga detyra, tek Ministri i Brendshëm. Ministri i Brendshëm Taulant Balla e falënderoi z. Veliu për punën e bërë deri tani në krye të AMP-së, rezultatet e arritura në kuadër të procesit të vetë-pastrimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nga 1 janar deri sot, ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm 207 raste për 295 subjekte, ndër ta 253 oficerë policie si dhe 42 shtetas.

Në këtë periudhë janë arrestuar 23 oficerë në flagrancë. Me masë sigurie janë 72 raste, ndër ta, 61 oficerë policie dhe 11 shtetas. Në masën “Arrest në burg” janë 24 raste, ndër ta, 18 oficerë policie dhe 6 qytetarë. Me masën “Arrest në shtëpi” janë 6 oficerë policie dhe 1 qytetar, me masën “Pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik” janë 34 oficerë policie. Gjithashtu janë dhënë 24 masa disiplinore administrative, pas hetimeve disiplinore të AMP-së, ndër ta, 4 oficerë me masë disiplinore “Përjashtim nga policia”; 3 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për dy vjet; për 5 oficerë policie “Shtyrje e afatit të gradimit” për një vit, si dhe për 9 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për nëntë muaj.

AMP i ka dhënë rekomandim Agjencisë Kombëtare të Informacionit të Klasifikuar për heqjen e Certifikatës së Sigurisë për 19 subjekte. Zoti Veliu ishte emëruar në krye të AMP në shtator 2022, detyrë që e mbajti deri ditën e sotme. Drejtimin e Agjencisë, deri në fund në zgjedhjen e drejtuesit të ri, do ta mbajë Dritan Dorda, Zv.drejtor i Përgjithshëm i AMP-së. Ju bëjmë me dije se Ardi Veliu do të vijojë të japë kontributin e tij, në një tjetër detyrë shtetërore.

"Zëri" e ka ndjekur rastin e Veliut që prej momentit kur vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla njoftoi se do të aplikonte një standart të ri. çdo polic i përfshirë në aplikacionet "Sky ECC" dhe "Encro Chat" do të përjashtohet nga PSH, sipas ministrit, duke njoftuar gjithashtu se ai që do të merrej me këtë proces ishte kreu i AMP, Ardi Veliu./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB