
ITALI- Një ngjarje e rëndë ndodhi në Itali dy ditë më parë, ku burri shqiptar ekzekutoi gruan e tij, me të cilën kishte dy fëmijë.
Në lidhje me ngjarjen tragjike dhe gjithçka që mund të ketë ndodhur, ka folur për mediat italiane dhe shoqja e ngushtë e viktimës Klodiana Vefa. Ajo ka thënë se bashkëshorti i Klodianës kishte një karakter të dhunshëm.
Shoqja e ngushtë e Klodianës tha se ndjente disi faj për ngjarjen, sepse ajo e kishte vërejtur se bashkëshorti i viktimës, Alfredi, ishte i dhunshëm.
Mikja e Klodiana Vefës tha se viktima e kishte informuar se bashkëshorti i saj mbante një armë të fshehur dhe se ishte tepër e tronditur. Sipas saj, ndihej se ‘mund të kishte një akt fatal’.
Intervista e shoqes së ngushtë të Klodiana Vefës, dhënë për mediat italiane:
Pyetje: Pse Klodiana Vefa nuk e ka denoncuar bashkëshortin, nëse ndihej në rrezik nga ai?
Mikja e Klodiana Vefës: Nuk e ka denoncuar, sepse ka menduar për fëmijët e saj. Ajo kishte frikë se në rast se e denonconte, ai do i bënte keq fëmijëve. Klodiana mendoi se edhe nëse do denonconte, asgjë nuk do të ndryshonte. Më thoshte se çfarë do që të bënte, Alfredi nuk ndryshonte.
Pyetje: Si?
Mikja e Klodiana Vefës: Ajo po përpiqej të ishte e lumtur, po tentonte të jetonte një jetë sa më të mirë, duke qenë e gëzuar. Por gjithmonë e dinte se për të nuk mund të kishte edhe shumë gëzim.
Pyetje: Në rast se do të ktheheshim pas në kohë, çfarë do të bënit?
Mikja e Klodiana Vefës: Do të shkoja në polici dhe do e denoncoja bashkëshortin e mikes sime, me apo pa pëlqimin e Klodianës. Klodiana ka qenë ajo që na ka penguar për denoncim, të them të vërtetën. Ajo gjithmonë thoshte “ne jemi shqiptarë, kuptoni?”
Pyetje: A kishte dijeni Klodiana për armë që mbante bashkëshorti apo diçka të ngjashme?
Mikja e Klodiana Vefës: Ajo që mund të them është se Klodiana e ndjente se mund ta vrisnin. Ajo nuk ma tha kurrë hapur, por e dinte se burri i saj kishte armë. Njëherë më tha çdo gjë me një fjali “Tani koha po mbaron”.
Fëmijët e çiftit: Prindërit kishin konflikte
Mediat italiane kanë zbardhur edhe deklaratat, që fëmijët e çiftit kanë dhënë në polici, pas ngjarjes së tmerrshme të ndodhur në Itali, ku Alfred Vefa vrau bashkëshorten, Klodiana Vefa.
Vajza e çiftit kishte vënë re se babai i saj ushtronte presione të shumta ndaj nënës dhe i kishte thënë se “dashuria nuk është diçka që mund të vijë me detyrim”. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se është ka qenë fakti se Klodiana Vefa kishte dashur të ndahej nga bashkëshorti. Madje, ata ishin divorcuar në Shqipëri, por vendimi, për shkak të burrokracive, nuk ishte regjistruar në Itali.
Fëmijët kanë thënë se nëna e tyre nuk e donte më bashkëshortin e saj dhe ia kishte thënë diçka të tillë. Por, ajo iu kishte deklaruar gjithashtu fëmijëve se nuk kishte mundësi ekonomike. Çifti jetonte në një shtëpi, të marrë me kredi nga bashkëshorti.
Po ashtu, fëmijët kanë deklaruar se në gjashtë vite bashkëjetesë, babai i tyre dhe nëna kanë pasur konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Alfred Vefa kishte fshehur armën në garazhin e shtëpisë që kishte marrë me kredi. Me të ekzekutoi gruan me plumb në kokë dhe më pas vrau veten./Zëri.ai/