
ELBASAN- Pastruesja e prokurores Doloreza Musabelliu, e cila ishte vënë në shënjestër nga grupi i Laert Haxhiut, dyshohet se ka qenë një nga personat që ka dhënë informacione tek grupi kriminal, në lidhje me lëvizjet e zyrtares së SPAK. Ka qenë një dëshmi shtesë e dhënë nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani, që ka zbardhur emrin e pastrueses, e për rrjedhojë, SPAK ka nisur verifikimet.
Një tjetër person që dyshohet se ‘vëzhgonte’ prokuroren Musabelliu, ishte dhe Lorenc Lala, një anëtar i grupit të Haxhiut. Lala jetonte në një shkallë pallati me zyrtaren e SPAK, por aktualisht, edhe pse i shpallur në kërkim, dyshohet se është larguar drejt Anglisë.
Lala bashkë me një pjesë të grupit kishin bazën në një nga komplekset më të njohura të banimit në Tiranë. Pranë pallateve ndodhet dhe një lavazh mjetesh, që sipas gazetarit Elton Qyno, i cili raporton për OraNeës, përdorej dhe si bazë për transferimin e sasive të eurove nga Lushnja në Tiranë.
Bazuar në dëshminë e Tafanit, eurot vinin në këtë lavazh përmes arkave të mbushura me perime.
Dëshmia e Tafanit inicioi operacionin “Never Forget” dhe zbardhi 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, etj. Aktualisht 3 persona janë shpallur në kërkim, 12 u prangosën.
Tafani ka zbardhur vrasjen e: Alban Semakut, 17 Tetor 2021;Çajup Selimit, 1 Qershor të 2021; Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021; Fridmand Xhaferrajt, 13 Maj 2021; Lulzim Qorrit, 12 Dhjetor 2018 (Athinë) dhe Dikens Halilit, 3 Tetor 2021 (Athinë).
Organizatori i krimeve të rënda, sipas Tafanit, është Laert Haxhiu që ndodhet pas hekurave në Greqi.