
GREQI- Mediat greke kanë raportuar arrestimin e kryebashkiakut të Himarës në detyrë, Jorgo Goro, i cili u vu në pranga këtë pasdite për tjetërsim pronash. Newsbomb, CNN, Protothema, In e shumë media të tjera i japin rëndësi faktit që Goro ndodhet pas hekurave falë kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri që është dënuar për tjetërsim votash. Por jo vetëm kaq! Protothema shkruan se ky arrestim nuk është rastësi pasi përmend faktin që pak ditë më parë kryeministri Edi Rama emëroi Vangjel Tavon si Prefekt të Qarkut të Vlorës me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Ndoshta momenti i arrestimit nuk është rastësi, pasi pak ditë më parë Rama emëroi në postin e prefektit të qarkut të Vlorës ish-deputetin minoritar të PS-së Tavo, qark ku përfshihet dhe Himara. Me shumë gjasa, pala shqiptare shpreson që pavarësisht se Goro i rrëmbeu zgjedhjet Belerit dhe bashkinë e Heimarrës, prania e një pakice tjetër që natyrisht nuk ka lidhje me Himarën dhe OMONIA-n, përmes Tavos, do të qetësojë reagimet greke,”- shkruan media greke.
Goro është vënë në pranga pas shqyrtimit të kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave dhe i dënuar për shitblerje votash. Në kallëzimin e kryer, Beleri akuzoi kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve. Kjo pronë, pasi është blerë, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.