
TIRANË- "Më ngacmoi të dashurën, ndaj e qëllova", kjo ka qenë dëshmia e Armir Hasës, 18-vjeçarit, i cili dy ditë më paqë plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, 16 vjeç. Ngjarja u regjistrua në rrugën "OSBE" në Kamëz.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve ai ka treguar versionin e tij të ngjarjes.
Armir Hasa: Më ngacmoi të dashurën, ndaj e qëllova. U takuam për tu sqaruar, por më pas u konfliktuam. Më pas hapa bagazhin e makinës dhe nga aty nxora kallashin. Qëllova vetëm një herë në drejtim të 16-vjeçarit dhe më pas u larguam me shpejtësi bashkë me shokun tim Xhorxhi.
Një mesazh në Instagram që 16-vjeçari i ka dërguar të dashurës së Hasës ka qenë dhe "molla e sherrit", që për pak sa nuk përfundoi tragjikisht. Nga të shtëna me armë zjarri, adoleshenti mori një plumb në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Traumës nën kujdesin e bluzave të bardha.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar "Catch". Kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari që u shpall në kërkim 2 ditë më parë, pasi tentoi të vriste me armë zjarri, një 16-vjeçar. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas tjetër, bashkëpunëtor i 18-vjeçarit, në këtë ngjarje. Sekuestrohet automjeti që 2 autorët e dyshuar kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 18.10.2023, rreth orës 16:10, në rrugën “OSBE”, Kamëz, ku u tentua të vritej me armë zjarri një 16-vjeçar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Catch".
Si rezultat i këtij operacioni i bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: A. H., 18 vjeç dhe Xh. Ç., 19 vjeç, të dy banues në Kamëz. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, më datë 18.10.2023, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri 16-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithsëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Zëri.ai