
BRITANI E MADHE- Një "kopshtar" shqiptar është kapur në një fermë kanabisi. Sipas mediave të huaja, Egzon Lusha tha se iu dha një adresë në Swansea, e aty më pas u orientua që të hipte në një tren, pasi duhet të punonte për të kthyer borxhin prej 18,000 £. Paratë i kishte përdorur për të shkuar në Angli, ndaj edhe u dërgua për të punuar në Uells.
Shqiptari u arrestua kur oficerët e policisë bastisën shtëpinë ku ai punonte dhe jetonte, edhe pse u përpoq të fshihej në një dollap. Gjatë marrjes në pyetje, ai i tha Policisë se kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca, i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Më pas, iu tha se kishte një borxh ndaj njerëzve që e futën kontrabandë në ishull.
Shtëpia ku ai ishte fshehur, kishte një papafingo, të cilën e kishte shndërruar në serë për prodhimin e kanabisit, ndërsa një dhomë tjetër e përdorte si dhomë banimi. Atje kishte një divan krevat dhe TV. Në 'serë' kishte 179 bimë, rreth 87 prej të cilave u përshkruan si "fidanishte", por të gjitha bashkë, duke llogaritur edhe rendimentin, kapnin vlerën e 78 mijë paundëve. Në banesë ishte edhe telefoni i tij, por edhe pse iu kërkua PIN-i, ai refuzoi t'ua tregonte./ZËRI